
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka emëruar Vehbi Miftarin ambasador në Misionin e Posaçëm në Vatikan.
Nga 1 shkurti, Miftari do të udhëheqë misionin e sapothemeluar të Kosovës në Vatikan, duke lënë pozitën e këshilltarit politik të presidentes Osmani.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë ai përmes një postimi në Facebook.
“Sot, pas tri vjetësh angazhimi si këshilltar politik i Presidentes Vjosa Osmani, e përmbylla angazhimin tim në Zyrën e Presidentes së Kosovës. Ka qenë përvojë fort e vyer në shërbim të Republikës”.
Ndryshe, Osmani dy javë më parë ka dekretuar hapjen e Misionit të Posaçëm të Kosovës në Selinë e Shenjtë në Vatikan.
Ajo ka thënë se dekretimi formal i Misionit të Posaçëm të Kosovës në Selinë e Shenjtë vjen pas dy vite përpjekjesh intensive së bashku me lidershipin e Vatikanit.
“Ky është një moment historik dhe i rëndësishëm për Kosovën si dhe një kapitull i ri në marrëdhëniet Republikës së Kosovës dhe Vatikanit, të cilat ne jemi të përkushtuar t’i thellojmë”, ka shkruar Osmani në rrjetin social “X”. /Telegrafi/