Shkruan: indeks.mk

Ditë e madhe për shqiptarët e Maqedonisë.

Ditë e madhe për Maqedoninë.

Krejt një. 28 janari 2024 është ajo ditë e madhe edhe për shqiptarët, edhe për Maqedoninë.

Për shqiptarët, për shkak se me arritjen politike të pakonceptueshme deri tash, shënojnë hapin e madh me të cilin dëshmojnë se pas ecejakeve më shumë se tri dekada herë para herë prapa. Një ecje e rëndë dhe e ngadalshme, por me të cilën mbyllen çështjet e hapura të cilat më parë shkaktonin drama serioze për jetën politike dhe vendin: u mbyll çështja e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, u mbyll çështja e arsimit, u përmirësua gjendja e përfaqësimit, ndërkohë që thyen edhe klishetë se shqiptarët s’mund të jenë bartës të pozicioneve më të larta publike dhe dy mandatet e fundit në krye të parlamentit ka qenë një shqiptar, e tash edhe në krye të qeverisë.

Kjo nuk mund të mos jetë fakt i rëndësishëm edhe për vendin. Sepse, Maqedonia dalëngadalë po lëviz ujërave të qeta të zhvillimit të vet. I harron një nga një çështjet ndëretnike si kapituj të vet të zhvillimit të ngadalshëm, ose më saktë, që ishin frenuese për zhvillim të gjithmbarshëm, sepse harxhohej energji pikërisht për tema të tilla. Periudha pas Marrëveshjes së Ohrit shënoi kthesën, edhe pse me ecje tejet të ngadalshme, e hera herës, edhe me pengesa serioze nga qarqe politike nacionaliste.

Megjithatë, vendi dhe subjekte politike progresive, sidomos në dy mandatet e fundit të qeverisjes së BDI-së dhe LSDM-së, gjetën forcën që gjërave t’u qasen me më shumë realizëm dhe me më pak paragjykime, të cilat sollën ngritjet si në nivelin e lirive qytetare dhe barazisë ndëretnike, si në proceset euroatlantike, sepse krahas mbylljes së çështjeve të brendshme, arriti dhe të mbyllë kontestin me Greqinë, që ia hapi dyert e NATO-s, dhe tash edhe me përpjekjet që të njëjtën ta bëjë me Bullgarinë.

Një varg deklaratash që janë dhënë nga politikanë, intelektualë, analistë, gazetarë…, pjesë të cilave enkas edhe për portalin tonë, i kanë vënë në dukje pikërisht aspektet që po i përmendim edhe ne në këtë tekst, si dhe atë që dikush shikon edhe një simbolikë që i bashkon të gjitha, e kjo, se në një fazë të re pjekurie të shoqërisë multientike e multikonfesionale, gjithkush mund të jetë bartës i funksioneve më të larta, se përkatësia etnike nuk mund të jetë më pengesë, se, nëse i marrim shqiptarët si bashkësi të dytë, sot janë në krye të Qeverisë, nesër edhe në krye të Shtetit, pa frikë se i rrezikohet dikujt privilegji “i destinuar”.

Prandaj, le t’i urojmë postin z.Talat Xhaferi, këtij “shortliu” me fat që të hyjë në histori që të bëhet edhe kryeparlamentari i parë dhe kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut. E dimë se 3-4 muaj sa do të jetë në krye të saj nuk priten gjëra të mëdha ku do të shprehej dija dhe shkathtësia politike që padyshim e ka z.Xhaferi, por kësaj radhe do të mjaftohemi që zgjedhjet e ardhshme të sukseseshme dhe të pakontestuara ta mbajnë vulën e tij, për të dëshmuar se dimë si shqiptarë të menaxhojmë me çdo situatë.

Këtu ka vend të shtohet edhe merita e pamohueshme e BDI-së dhe e vizionit politik të Ali Ahmetit, por nuk duam të përsëritemi me gjithë ata që këto ditë i kanë dhënë vlerësimet e tyre pikërisht në këtë adresë, ku dhe padyshim, është burimi i të gjitha ngritjeve të shqiptarëve të Maqedonisë.