Ra edhe një debat me “mëlmesë” të “përshtatshme” për opozitën për t’iu kthyer disa temave me ngarkesë nacionaliste dhe çka është më e keqja, me kthim prapa, në vend se të shikojnë para, nga ardhmëria.

Këtë Ali Ahmeti sot ua tha deputetëve të VMRO-së dhe Pavle Trajanovit në foltoren e Kuvendit, të cilët duke folur për figurën e Talat Xhaferit u kthyen në të kaluarën e tij si pjesëtar i UÇK-së dhe gjëra tjera të parapëlqyeshme për këtë lloj debati.

Ali Ahmeti i pyeti ata kur kemi qenë më mirë, para njëzet e ca vitesh kur ishim në anë të kundërta, apo tash kur si të barabartë ndërtojmë bashkërisht vendin? Ata nuk u përgjigjën, e thanë fjalën e vet paraprakisht!

Përgjigja është e logjikshme, përveç për ata që të kaluarën e preferojnë para së ardhmes. Ata ende jetojnë me UÇK-në në mendje, me Marrëveshjen e Ohrit që sipas tyre ka lënë pasoja, edhe pse vetë e kanë nënshkruar, që shikojnë shtet binacional si diçka që është në dëm të shtetit, dhe shumëçka tjetër nga repertori i njohur “tematik”.

Ata kësaj radhe duan(të marrin pjesë në qeveri) dhe s’duan(ta votojnë atë!), me arsyetimin e zgjidhjes kadrovike të BDI-së “së kriminalizuar”. Këtë e flasin deputetët që në historinë më të re të Maqedonisë do të mbetin partia që shpërdoroi qindra miliona euro duke qenë në pushtet, për të cilat është e tepërt të flitet. Po të kishin të paktën minimum morali, do ta kishin bërë një distancim nga ai keqpërdorim masiv, që zor se mund të matet dikush, tash e kurdoherë.

Çudi që e gjithë kjo ndodh në kushtet kur vendi bën hapat drejt BE-së, në orientimin properëndimor. Kur qëllimi për të penguar një qeveri, mëton të arrihet me të gjitha mjetet, edhe me kusht që të kthehemi prapa!

Diku në mes, kuptohet, është demagogjia të cilët e kanë lexuar kaherë qytetarët./indeks.mk