
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, është i ftuar sonte në emisionin Politiko me Kushtrim Sadikun në Kanal10. Në këtë paraqitje, Ahmeti do të flasë për procesin historik të zgjedhjes së kryeministrit të parë shqiptar në Maqedoni të Veriut. Ai gjithashtu ka folur edhe për shumë procese tjera, derisa ka thënë se pa pajtimin shqiptaro-serb, nuk do të ketë qetësi në Ballkan.
Bashkimi Demokratik për Integrim vazhdon të krenohet për rezultatet e fundit të politikbërjes në Maqedoni të Veriut.
Zgjedhja e Talat Xhaferit si kryeministër i Qeverisë teknike në shtetin fqinj, për liderin e kësaj partie, Ali Ahmeti, është moment historik për shqiptarët.
Në emisionin Politiko me Kushtrim Sadikun, Ahmeti ka thënë se bashkëpartiaku i tij, do t’u shërbejë të gjithëve për aq kohë sa do të punojë si kryeministër.
Ish-udhëheqësi i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, ka thënë se është ndier keq që opozita nuk ka marrë pjesë në seancën e së dielës.
Ahmeti ka treguar se pse nuk ka pranuar që të jetë ai kryeministri i parë shqiptar në Maqedoni të Veriut.
Ahmeti ka folur edhe për shumë procese tjera në rajon, përfshirë dialogun Kosovë-Serbi, për çka e ka vlerësuar si pozitive marrëveshjen e Ohrit.
Sipas tij, pa pajtimin shqiptaro – serb, Ballkani nuk do të ketë qetësi.
Kreu i BDI-së ka thënë se asnjëherë nuk është zhgënyer nga Amerika, Evropa e NATO-ja dhe se sipas tij, nëse këto garantojnë se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, atëherë duhet dëgjuar rekomandimet e tyre.
Ndër të tjera, Ahmeti ka treguar edhe për një përplasje që ka pasur me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë takimit të liderëve të rajonit në Shkup.
Sa i përket paralajmërimeve për konflikte të reja në rajon, Ahmeti ka thënë se të gjithë duhet të punojnë për ta evituar ngjarje të tilla, duke shtuar se është koha për racionalitet e ndërtim të paqes.