Një shqiptar do të drejtojë për herë të parë qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Ai është Talat Xhaferi që pas gjashtë vitesh si kryetar parlamenti, nga kjo e dielë ulet në karrigen e kreut të qeverisë së Shkupit.

Talat Xhaferi e nisi karrierrën politike në vitin 2002 ku u zgodh për herë të parë deputet i “Bashkimi Demokratik për Integrim” me kryetar Ali Ahmeti. Përveç karriges së deputetit, në 22 vite karriere politike Talat Xhaferi mbajti disa detyra në qeverinë e Maqedonisë së Veriut.

Ai ishte zëvendës-ministër i mbrojtjes përgjatë viteve 2004-2006. Ai u rikthy në qeverinë e Shkupit si Ministër i mbrojtjes për një vit nga 2013 deri në 2014. Emërimi i tij në kabinetin qe drejtohet nga Nikolla Gruevski shkaktoi protesta nga maqedonasit për shkak se kishte qenë komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Tre vite më vonë ai u ul në karrigen e kryeparlamentarit duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në përfaqësimin e shqiptarëve në legjislativin e Maqedonisë së Veriut.

Zgjedhja e Talat Xhaferit si kryetar i parlamentit erdhi nga bashkimi i votave të partive shqiptare dhe LSDM-së në opozitë. Në atë kohë, në 2017-ën vendosja e një shqiptari në krye të legjislativit maqedonas shkaktoi trazira në parlament.

Në të njëjtën detyrë ai do të zgjidhej edhe në 2020-ën.

I lindur në Gostivar, ai studioi në Akademinë Ushtarake të Tokës Këmbësorike të Ushtrisë Popullore Jugosllave në Beograd dhe Sarajevë. U specializua në detyra komanduese dhe të stafit në Akademinë Ushtarake në Shkup. Nga 1985 deri në 1991 ishte një oficer i ushtrisë jugosllave dhe prej vitit 1992 deri në 2001 ishte oficer i Armatës së Republikës së Maqedonisë.

Gjatë luftës në Maqedoni të Veriut në vitin 2001, Xhaferi ishte në fillim një oficer i lartë në ushtrinë maqedonase, për t’iu bashkuar më pas me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Talat Xhaferri u bë komandanti i brigadës 116 me nofkën e “komandant Forina”.

Sot ish komandat “Forina” hyn në historinë e shtetit të Maqedonisë së Veriut si kryeministri i parë shqiptar./vizionplus.tv