Juventusi ka nevojë të madhe për të përforcuar repartin e mesfushës dhe këto 72 orët e fundit të afatit kalimtar të janarit do të jenë shumë aktive.

Mungesa e Paul Pogbas dhe Nicolo Fagiolin ka bërë me dhimbje koke trajnerin Allegri që për këtë repart ka zgjedhje të limituara.

 

Teun Koopmeiners është objektivi kryesor i Zonjës së Vjetër për mesfushën dhe torinezët kanë bërë një ofertë zyrtare për mesfushorin holandez.

25-vjeçari konsiderohet si një nga mesfushorët më të mirë në Serie A, derisa Atalanta e vlerëson atë 70 milionë euro, pasi në verë i kishte refuzuar 50 milionët e Napolit.

Zonja e Vjetër ka bërë gati ofertën prej 40 milionë eurove plus shërbimet e Matias Soules, talentit që po shkëlqen si i huazuar te Frosinone e që vlerësohet 30 milionë.

Drejtuesit e gjigantit italian janë të bindur se kjo ofertë është e duhura dhe do të pranohet nga Atalanta për ta lënë të lirë holandezin të transferohet në Allianz Stadium.

Koopmeiners ka qenë fantastik këtë edicion, ku në 26 ndeshje zyrtare ka realizuar shtatë gola dhe ka asistuar në katër të tjerë. /Telegrafi/