Ende pa u ulur mirë në karrigen e tij kryeministri i ri, VMRO-DPMNE-ja vazhdon me sajesa dhe terminologjinë e saj të njohur të kontekstualizuar për nevoja elektorale, edhe pse nuk janë shpallur ende.
Sot nga partia e Mickoskit, dolën me tezën se LSDM-ja po i lut Talat Xhaferin dhe Ali Ahmetin, që në zgjedhje të shkojnë me lista të përbashkëta por dhe ndihmë edhe për zgjedhjet presidenciale.
Kjo ndoshta si një përgjigje ish-kryeminsitrit që këto ditë u zotua se pas zgjedhjeve të ardhshme, do të kthehet përsëri si kryeministër.
Nga kjo parti dëshirojnë vazhdimisht ta prekin “nervin” e votuesit maqedonas me çështje të cilat janë të ndijshme për veshin dhe kujtesën e tij. Ndaj Levkovi për kryeministrin Talat Xhaferi e përdor edhe atributin “komandant Forina”: “Nënçmimet e Kovaçevskit në dëshirën për pushtet nuk kanë fund, ai e lut komandant Forinën dhe Ahmetin që ta mbështesin Stevo Pendarovskin dhe të kenë lista të përbashkëta”.
Përse kjo terminologji? Cili është qëllimi i këtij iritimi të qytetarëve dhe të kthimit të aluzioneve të vitit 2001, pas të cilit pasoi pajtimi?!
Sa u përket vetë spekulimeve për paraqitje të përbashkët LSDM-BDI, pyetja është është çka nëse është e vërtetë, çka nëse nuk është nëse ka ndonjë lëvizje për bashkëpunim midis dy partive në pushtet?
Kjo është sikur të bësh “ish!” ku s’ka pula.
Sepse, LSDM-ja tashmë kanë një kapitull të suksesshëm bashkëpunimi me BDI-në në zgjedhjen e “Presidentit konsensual”, dhe s’do të ishte kurrfarë befasie, nëse strategët e fushatës elektorale të këtyre partive, vendosin për lista të përbashkëta dhe prapë edhe për një kandidaturë presidenciale me konsensus. Dhe çka ka të keqe këtu?
Çdo parti përdor taktikat e lejuara për paraqitje para zgjedhësve. Edhe VMRO-ja ka punuar për një kohë më të gjatë që të thellojë bashkëpunimin me partitë shqiptare, pikërisht për të forcuar pozitat e veta elektorale.
Pse të jetë diçka e pazakontë nëse LSDM dhe BDI e zyrtarizojnë Frontin për Evropë, që është një qëllim i përbashkët i tyre i deklaruar kaherë. Në këtë kauzë mund të kyçen edhe parti tjera, sepse investimi për Evropë është diçka që u sjell dobi jo partive por gjithë qytetarëve.
Nëse VMRO-ja ka rrugë tjetër, le ta verifikojë para votuesve, dhe le të ecë asaj.
Kurse të mos harrojmë edhe këtë. Kur ia zënë për të madhe LSDM-së pjesëmarrjen në “Qeverinë e BDI-së”, vallë si pranoi vetë VMRO-ja t’i dërgojë ministrat e vet te qeveria e udhëhequr nga “Komandant Forina”? /indeks.mk