Firma zviceriane Microlino së shpejti do të fillojë shitjet e modelit të “katërçikletës” së saj elektrike në Britaninë e Madhe.

Microlino u zbulua për herë të parë në ekspozitën motorike të Gjenevës në vitin 2016, dhe hyri në prodhim gjashtë vjet më vonë.

 

Që nga ajo kohë, kompania ka prezantuar modele në të gjithë Evropën dhe ka ndërtuar modelin e saj të 1000 të veturës së njohur si “fluskë”, e cila do të fillojë shitjen në tregjet britanike, transmeton Telegrafi.

Ky model ofron një motor me 17 kuaj fuqi dhe ka një shpejtësi maksimale prej 90km/h. Mund të pajiset me bateri prej 5,5 kWh, 10,5 kWh, dhe 15,0 kWh.

Me fillimin e shitjeve në Britaninë e Madhe, Microlino synon ta bëjë këtë model si opsionin e dytë të qytetarëve për udhëtime.

 

Bëhet e ditur se ky variant do të ofrohet vetëm me timon në anën e majtë për shkak të hapësirës së ngushtë brenda tij.

“Ne gjithmonë themi se Microlino është si një iPad. Një iPad nuk është as telefon e as laptop, por diçka në mes”, tha Ouboter, bashkëthemeluesi i kompanisë.

“Unë mendoj se ky është pikërisht lloji i të menduarit me të cilin duhet t’i afrohemi Microlinos. Është me të vërtetë perfekt për të gjitha distancat rutinë, si për shembull kur shkoni në punë, ose kur jeni dy persona në veturë. Nëse e shikoni nga ai këndvështrim, është super-praktik për këto lloj rastesh përdorimi”, shtoi ai.

Si i tillë, ky model pritet të ketë një çmim të konsiderueshëm. Në Evropë, Microlino fillon nga 17,990 € dhe rritet në 19,990 € për një model me 10,5 kWh, dhe 21,990 € për modelin me bateri 15.0 kWh. /Telegrafi/