Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka kritikuar kundërshtarin e tij në zgjedhje, Donald Trump për takimin me Viktor Orbanin, duke thënë se kryeministri hungarez është “në kërkim të një diktature”.

Të premten, Orbani udhëtoi në Florida për t’u takuar me “mikun e tij të mirë” Trump. Orban shpesh ka shprehur shpresë për rikthimin e republikanëve në pushtet.

“A e dini se me kë po takohet sot, në Mar-a-Lago? Orbanin nga Hungaria, i cili deklaroi hapur se nuk mendon se demokracia funksionon dhe kërkon diktaturë. Unë shoh një të ardhme në të cilën do ta mbrojmë demokracinë, jo do ta zvogëlojmë”, u tha Biden mbështetësve në një tubim të fushatës në të cilin ka kritikuar vazhdimisht Trumpin.

Hungaria është i vetmi anëtar i BE-së që mban lidhje të ngushta me Kremlinin pas pushtimit rus të Ukrainës.

Orbani ka kërkuar rregullisht armëpushim të menjëhershëm dhe bisedime paqeje, duke argumentuar se Trumpi, i cili më parë ka shprehur admirim për Putinin, është më i kualifikuari për të gjetur rrugëdalje nga konflikti.

Udhëheqësi hungarez zemëroi liderët e tjerë të BE-së me një takim me Putinin në shtator, dhe më herët foli kundër sanksioneve perëndimore kundër Moskës.