-Logjika ekskluziviste të Së Majtës së Apasievit, me rreziqet e brendshme dhe të jashtme dhe formulat “magjike” për t’u përballur me to, vërtet Maqedoninë mund ta çojnë në një paudhësi dhe dridhje serioze tektonike, duke rrezikuar kohezionin e brendshëm shoqëror dhe aspiratat e vendit për ecje drejt BE-së

Shkruan: indeks.mk

 

Zgjedhjet janë një ambient i mirë për të shitur ide e modele, si në një pazar ku gjithkush mund të shesë gjithçka, e ndonjëherë, si në atë përrallën popullore, dikush të shesë edhe gogla për dushk!

Kështu mund të thuhet edhe për opozitën aktuale me në krye VMRO-DPMNE-në, por ku Levica i fryn pas shpine me pseudopatriotizmat e ngjyrosura majtiste, për t’ia marrë primatin!

Duhej të pritej momenti kush kur do të nxjerrë ndonjë margaritar, dhe pas disa të tillëve “më të vegjël”, na erdhi nga Dimitar Apasievi “oferta madhore” për të “shpëtuar” Maqedoninë përmes “Platformës maqedonase”!

Kur një shtet a një popull gjendet në ndonjë udhëkryq historik ku është në pyetje ekzistenca e tij, janë të logjikshme edhe këso platformash me pretendime kombëtare, por pretendimi mund të jetë një, e tjetër ideimi në mënyrën se si kësaj radhe na paraqitet kjo platformë e Të Majtës, e cila në start i jep kahe të gabuar. Sepse, “Platforma maqedonase” u drejtohet partive të bllokut etnik maqedonas me të cilën do të ndërpriten “shantazhet e partive të pakicës shqiptare”. Pra, një platformë etnike maqedonase, kundrejt një rreziku “të brendshëm”, si motiv i parë. E dyta, nga partitë maqedonase kërkohet ta shkelin edhe kushtetutën, kur pajtohen me formulimin antikushtetues, ku shqiptarët trajtohen si pakicë, gjë e cila në asnjë variant të kushtetutave të Maqedonisë, që nga kushtetuta e 1974-tës, nuk janë trajtuar. Këtë mund ta kërkojë vetëm një naiv ose një shovinist që i urren bashkëqytetarët e tij të kombësisë shqiptare.

Përveç se në relacion me shqiptarët, platforma është destruktive edhe në raport me përcaktimet e Maqedonsië si shtet. Në platformën 5-pikëshe, kërkohet konsenzus nacional jo vetëm për parandalimin e shantazheve të partive të “pakicës shqiptare, (nënshkruese të të ashtuquajturës Platformë të Tiranës, sipas Levicës), por dhe të ndalet shpërbërja e mëtutjeshme e Republikës së Maqedonisë dhe shndërrimit të saj në gjysmëprotektorat.

Po t’i shohim me radhë këto pesë pika të “Platformës maqedonase” të Levicës, me të cilën, jo pak, por pak si tepër, do ta kthenin Maqedoninë në një të kaluar të pasigurt, të cilën Marrëveshja e Ohrit e tejkaloi.

Nën pikën 1 të Platformës, kërkohet karakteri unitar i shtetit dhe “tejkalimi i karakterit federativ, modelit konsocial binacional dhe braktisja e modelit të prapambetur të apartaedit dhe getoizimit të bashkësive etnike dhe pakicave kombëtare”. Nuk ka nevojë për shumë dije për të kuptuar kontradikta në këtë pikë. Së pari, askush në Maqedoni, madje as partitë shqiptare, nuk e kontestojnë karakterin unitarist të shtetit. Kurse elementet federalise që i sheh Levica, janë zgjidhjet e avancuara kushtetuese të barazisë, që u avancuan me Marrëveshjen e Ohrit, e që si zgjidhje, në nivel paksa më të ulët, kanë qenë të pranishme edhe para saj. Ato janë çështjet e barazisë në arsim, ku nuk realizojnë të drejtat vetëm shqiptarët, por dhe bashkësitë më të vogla etnike, në përfaqësimin adekuat dhe të drejtë në administratë, gjë kjo që më herët kishte forma diskriminimi. Këtu është edhe vendosja me “shumicë Badenteri”, pikërisht për të eliminuar majorizimin.

Nëse kujtojmë se këto zgjidhje janë arritur me konsenzus gjithëpërfshirës, braktisja e këtij konsensusi do të ishte pika e rrezikshme e kthimit prapa, në kohë shumë më të largëta. Sepse, meqë Levica është parti e majtë dhe kandidatja e saj presidenciale e glorifikonte socializmin, pikërisht këto zgjidhje që janë më të avancuara tash për barazinë, kanë qenë edhe në periudhën e socializmit.

Në pikën 2, të titulluar “Sovranitet dhe integritet territorial”, që është paksa pretencioze, është futur modeli zgjedhor për një njësi zgjedhore, që nga aspekti politik dhe nuk është diçka problematike, sepse çështja e modelit, është çështje teorike dhe pragmatike, nëse në prapavijë nuk është edhe këtu qëllimi për të devalvuar përfaqësimin. Por, ajo që është direkt e rrezikshme, është qëllimi për të ndaluar “partitë etnikisht monolite”! Pra, edhe një përpjekje për të thelluar problemet që i ka tejkaluar pluralizmi, në të drejtën për organizim polik, çfarë në këtë rrethim ballkanik, sidomos nga vendet e dala nga ish-Jugosllavia, zor se mund të gjendet diku. Maqedonia do të ishte e para, ku shqiptarët, si bashkësi e dytë, por dhe turqit, romët, boshnjakët, serbët…, thërmitë e të drejtave do të duhej t’i artikulonin përmes vullnetit politik të Apasievave të partive të bashkësisë shumicë!

Në pikën 3, mund të thuhet se preket çështja e integrimit në BE, pasi kërkohet një “JO” e madhe për futjen e bullgarëve në Kushtetutë dhe shpërbërjen e Komisionit “për revidimin e historisë antifashiste”. Kjo është një pikë e ndijshme maqedonase, dhe loja me sentimentin kombëtar dhe ideologjik, duket se është më se e qartë, por natyrisht, duke anashkaluar faktet se futja e bullgarëve në kushtetutë, nuk është diçka që mund ta rrezikojë shtetin dhe identitetin maqedonas, sepse këtu do të kishte një supremaci etnike: maqedonasit si komb shtetformues, ndërkaq bullgarët si bashkësi e vogël. Por, manipuluesve me çështjet e mëdha, kjo nuk u bën përshtypje.

Për pikën 4, nuk është e qartë pse është futur: sekularizmi. Në të, kërkohen që bashkësitë etnike dhe grupet religjioze të ndahen nga shteti dhe institucionet publike dhe vendosja e tatimeve ndaj tyre.

Kjo është një çështje konceptuale që nuk është aspak urgjente dhe jetike në këtë moment, është një çështje e hapur për çdo kohë dhe nuk i përket kategorisë së rrezikimit të shtetit.

Pika e 5-të është titulluar “Insignacionet shtetërore”, me të cilën kërkohet kontroll rigoroz dhe vëzhgim i përdorimit ligjor të simboleve shtetërore(stemës, flamurit, himnit) nga ana e organeve shtetërore, komunat, dhe subjektet private gjatë çfarëdolloj solemnitetesh dhe manifestimeve”. Kjo pikë është një lloj “ish!”-i ku s’ka pula, do të kishim thënë, sepse në këtë fushë nuk ka aso lëshimesh të rënda, që të trajtohet si një problem nacional. Ka ligj për përdorimin e simboleve shtetërore si dhe të atyre etnike, si për përdorim zyrtar, si për përdorim privat, por ndoshta këto gjëra nuk kanë arritur t’i lexojnë ideologët e së Majtës!

Ndjekja e kësaj logjike ekskluziviste të Së Majtës së Apasievit, me rreziqet e brendshme dhe të jashtme dhe formulat “magjike” për t’u përballur me to, vërtet Maqedoninë mund ta çojnë në një paudhësi dhe dridhje serioze tektonike, duke rrezikuar bazat kushtetuese me të cilat është arritur një përparim dhe relaksim i dukshëm shoqëror dhe aspiratat e vendit për ecje drejt BE-së. /indeks.mk