Rrufeja të hënën në mbrëmje në qytetin lindor të Gjermanisë, Dresden, ka lënduar dhjetë persona, katër prej të cilëve pësuan lëndime të rënda.

Sipas një zëdhënësi të shërbimit zjarrfikës, dy burra, 27 dhe 30 vjeç, u reanimuan me sukses pasi pësuan arrest kardiak.

Mes kushteve të rënda të motit dhe një stuhie kalimtare në Dresden, rrufeja goditi grupin në brigjet e lumit Elba pak pas orës 17:00.

Tri gra dhe shtatë burra të moshës 26 deri në 41 vjeç u lënduan. Katër prej tyre kanë pësuar lëndime të rrezikshme për jetën. Sipas raportimeve, të gjithë pacientët kanë marrë ndihmën e parë urgjente mjekësore dhe janë transferuar në spitalet fqinje, raporton DPA, transmeton Klankosova.tv.

Policia ka rrethuar zonën dhe ka dërguar një helikopter për të gjetur persona të tjerë të plagosur. Shërbimet e urgjencës u bënë thirrje njerëzve që kishin qenë në zonë që të kërkonin kujdes të menjëhershëm mjekësor nëse shfaqnin simptoma.

Brigada e zjarrfikësve bëri një lutje mbrëmjen e së hënës për këdo tjetër që mund të ishte plagosur, pasi nuk mund të përjashtonte që persona të tjerë të ishin prekur dhe më pas të ishin larguar.

Shërbimi gjerman i motit në Leipzig kishte paralajmëruar për një aktivitet të fortë stuhie në pjesë të Saksonisë. Për Dresdenin, ata lëshuan një paralajmërim për rrezikun e stuhive të nivelit dy nga katër. Policia po vijon hetimet për zbardhjen e rrethanave të rastit