Nga ASH-krahu i Selës kanë reaguar pas deklaratave të kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili duke komentuar vërejtjet e euroambasadorit David Geer dhe ambasadores amerikane Angela Ageler për idenë e zhbërjes së Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve, tha se “është bërë praktikë që ambasadorët të përzihen në punët e brendshme të shtetit, përcjell TV21. Nga ASH thonë se VMRO-ja e ka obsesion kapjen e gjyqësorit.
“Ambasadorët e vendeve mike dhe partnerëve tonë strategjik janë udhërrefyes si duhet të arrijmë deri tek anëtarësimi i plotë i Maqedonisë së Veriut në BE. Maqedonia e Veriut nuk është në një planet tjetër, por pjesë gjeografike, kulturore, sociale dhe politike perëndimore.
Ndjejmë keqardhje që VMRO po rikthehet si me kuadro, si me politika në kohën e Gruevskit. Nga ana tjetër, na vjen mirë që kjo fytyrë e vërtetë dhe e pareformuar e VMRO-së do i senzibilzojë krejt ato faktorë që për pak desh harruan nga vijnë këto njerëz. Gjuha e Vuçiçit do të jetë edhe më tej pjesë e vokabularit të Hristjan Mickovskit. Kapja dhe disiplinimi i gjyqësorit nga VMRO është obsesion i vjetër dhe e dënojmë ashpër çdo tentativë të tillë”, thuhet në reagimin e ASH-krahu i Selës.