Legjitimiteti si njësi e matëse e fuqisë negociuese në politike, për popujt me qasje qytetarie në sovranitet shtetëror që operojnë brenda një sistemi unitar kundërthënës, është i vetmi mekanizëm demokratik për avansimin e legalitetit politik të këtyre popujve, në sistemin unitar. Në këtë sens shqiptarët dhe popujt tjerë joshumicë në Maqedoni të Veriut, të cilët qasjen e tyre në sovranitet shtetëror e kanë të limituar vetëm si qytetar dhe jo si anëtar produktiv komunitetesh, legjitimitetin etnik duhet ta kenë barometer për pjesmarje në jetën politike e publike në vend. Pra, vetëm përmes legjitimitetit etnik të popujve të nënpërfaqësuar në sovranitet të një shteti unitar, prodhohet e përmirësohet legaliteti i këtyre popujve në këtë sistem. Kështu flasin edhe përvojat pozitive të organizimit të jetës politike të shteteve me përbërje heterogjene komunitetesh, siç është edhe rasti i Belgjikës, kryeshtetit të Bashkimit Evropian.

Me një qasje më analitike, shprehur në një gjuhë teknike, politika në MQV duhet të shihet si matricë e rendit të 2-të me 4 elemente, ku brenda një koncepti teorie loje të një ekuilibri të supozuar ku harmonizohen këto katër elemente, dy elemente (legaliteti dhe legjitimiteti) i takojne kampit politik Maqedon dhe dy elementet e mbetura (legaliteti dhe legjitimiteti) i takojnë kampit politik shqiptar.

Në kushte të supozimit se dy elementet matricore të kampit politik Maqedon: legaliteti (rendi kushtetues) dhe legjitimiteti (vota nacionale) janë më funksionale kundrejt dy elementeve të njëjta matricore të kampit politik shqiptar, si rezultat i arsyeve të njohura demografike dhe të sistemit politik, ku në këtë rast legaliteti shqiptar lëngon pak më shumë sesa legjitimiteti shqiptar, sepse përqasja kolektive e shqiptarëvë në sistemin politik, juridik e kushtetues brenda nje sistemi politik unitar maqedonas, është i brishtë, i vetmi mekanizëm demokratik për të arritur në ekuilibrin e supozuar, i cili mund të intepretohet si mirëqenie politike për të gjithë etnitë në shtet, është të shfrytëzojmë elementin më të shëndoshë, legjitimitetin etnik të të nënpërfaqësuarëve në sistemin politik të një shteti unitar, për të përmirësu elementin më pak të shëndoshë të këndit të matricës katër elementëshe, legalitetin etnik në këtë sistem. Pra, na duhet legjitimiteti për të prodhu legalitetin. Me fjalë tjera, na duhet vota nacionale e Shqiptarëve dhe popujve tjerë në MQV për të përmirësuar qasjen e popujve joshumicë në sovranitet shtetëror si kolektivitete, rend kushtetues, sistem politik, ekonomik e ligj publik.

Sa për reflektim të pozitës politike të Shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, na shërben një krahasim mjaft pragmatik. Malazezlet dhe Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë të njëjtën origjinë të organizimit të jetës politike e publike, pra në ish Jugosllavi. Malazezët përkundër që janë dyfish më pak se Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, vetëm 400 000 sosh për dallim nga 800 000 sa janë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, ata kanë shtet, ndërsa shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, as legjitimiteti nuk Ju pranohet, e lere më të kenë ndonjë model tjetër të organizimit të jetës politike siç është federata, konfederata apo autonomia.

Çdo rrugë alternative nga rruga e legjitimitetit etnik, na shpie në humbje të fuqisë negociuese politike dhe na dërgon në vendnumëro, duke na njohur vetëm me qasje qytetare në sovranitet e jo si komunitete, mbi bazën e vetme ku mund të justifikohet organizimi shqiptar i jetës politike në një shtet unitar, siç është Maqedonia e Veriut!