Edhe pas 12 orëve të plota, Kryeministri i Qeverisë pa legjitimitet etnik, Hristijan Mickovski, nuk i publikoi pretendimet e tija për SMS porosi të pranuara nga funksionerë të lartë nga rradhët e Bashkimit Demokratik për Integrim.

Të gjithë ne në BDI kërkojmë që Mickovski ti publikojë ato SMS porosi sot, menjëherë, pa asnjë vonesë.

Kryeministri i Qeverisë pa legjitimitet etnik, në mungesë të argumenteve dhe projekteve si dhe nën izolim ndërkombëtar, i zënë ngusht në Kuvend, shpif që të nxirret nga situatat e sikletshme të përditshme.

Të gjitha që u thanë nga kjo qeveri u demantuan, të gjitha pa asnjë përjashtim.

Edhe banesa në Butel me njerëz të armatosur, edhe betimi i tij që asnjëherë nuk do ta njoh emrin kushtetues dhe marrëveshjen e Prespës, edhe destabilizimi në shtator, edhe “krimi epik” i Korridorit 8, edhe blerja e pllaceve në rrugën Shkup-Bllacë, edhe anulimi i rritjes së rrogave prej 78% për funksionerët dhe të gjitha të tjerat u dëshmuan se ishin mashtrim.

Edhe “sms” porositë nga BDI drejtuar Mickovskit janë gënjeshtra.

BDI angazhohet për një Maqedoni europiane, me sundim joselektiv të ligjit, barazi etnike dhe fqinjësi të mirë, prioritete këto që për fat të keq nuk i ndan Qeveria pa legjitimitet etnik, por përkundrazi po na largon nga Europa dhe nga marrëdhëniet e mira ndëretnike e ndërfqinjësore.