Home SHQIPËRI 3-vjeçari është mbytur me xhup! Ekspertiza konfirmon versionin e edukatores së kopshtit...

3-vjeçari është mbytur me xhup! Ekspertiza konfirmon versionin e edukatores së kopshtit të Fierit

3-vjeçari që ndërroi jetë në një kopsht privat në Fierit, është mbytur me zinxhirin e xhupit, sipas ekspertizës mjeko-ligjore.

Ndërkohë, gjykata e Fierit ka lënë në burg edukatoren Redina Binjakun. Ajo është e dyshuar për veprën penale të shkeljes së rregullores në punë.

Në dokumetin e siguruar nga “Shqipëria live”, shkruhet se “në trupin e kufomës, nga këqyrja e jashtme, u konstatua shirit ekimotik strangulimi në qafë, i cili projektohet në pjesën e përparme dhe anësore të qafës dhe me zbehje në të dyja anët e qafës, në nivel të përparmë të muskulit ku projektohet arteria karotide që furnizon trurin me gjak”.

Ngjarja e rëndë u shënua në 7 janar, rreth orës 13:00. 3-vjeçari ndërroi jetë në klasë. Fëmija ka shkuar në spitalin e Fierit pa jetë, ndërsa i janë konstatuar shenja në qafë.  Familjarët e të miturit kërkojnë drejtësi pasi nuk besojnë që është mbytur aksidentalisht.

Por, avokati i ftuar në “Shqipëria live” e sheh me dyshimit ekspertizën, pasi thotë se nuk janë bërë të gjitha kërkimet e duhura.

“Duket qartë që nuk është nga ekspertë të fushës. Duhet të kishin shkuar në vendin e ngjarjes. Të shikoheshin të gjitha provat. Të kontrolloheshin nga kamerat lëvizjet e edukatoreve. Për mua është e pabesueshme. Ka diçka që nuk shkon”.

Kopshti privat “Flatrat e Dijes” në Fier, është mbyllur me urdhër të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, pasi u gjetën disa shkelje si: nuk ka drejtues Didaktik, ka regjistruar fëmijë të moshës nën 3 vjeç, në kundërshtim me ligjin, nuk plotëson standardet infrastrukturore, ka regjistruar dhe pranuar fëmijë mbi numrin e lejuar dhe nuk ka përmbushur detyrimet në lidhje me dokumentacionin e nevojshëm, duke përfshirë edhe kontratat me prindërit.