Home Botë 42 ditë luftë në Ukrainë, kjo është situata!

42 ditë luftë në Ukrainë, kjo është situata!

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy i ka listuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së gjithë faktet rrënqethëse të mizorive që po bëhen në vendin e tij dhe i kërkoi që liderat rus të vendosen para drejtësisë për krime lufte. Zelenskiy bëri thirrje për një gjykatë ndërkombëtare të ngjashme me gjyqet e Nurembergut të nazistëve pas Luftës së Dytë Botërore, duke thënë për forcat ruse se “nuk ka asnjë krim të vetëm që ata nuk do ta kryenin atje”.

Prokurorët ukrainas thonë se po hetojnë rreth 5,000 krime të dyshuara ruse, pak pasi u zbuluan aktet mizore të kryera në qytetin ukrainas Bucha, ngjarje e cila nxiti perëndimin dhe SHBA të shtojnë sanksione të tjera kundër Rusisë.

Sipas shifrave të dhëna nga zyra e prokurorisë, gjithsej 4,468 krime të mundshme lufte u renditën si nën hetim që nga e marta, me shifrën që rritet çdo ditë. Rreth 165 fëmijë kanë humbur jetën gjithashtu si pasojë e pushtimit rus.

Presidenti ukrainas vuri në pikëpyetje aftësinë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të ofruar siguri.

“Këshilli i Sigurimit i OKB-së ekziston dhe siguria në botë nuk ekziston. Për këdo. Tani Kievi është kryeqyteti i demokracisë globale, kryeqyteti i luftës për liri për të gjithë në kontinentin evropian.”- u shpreh kreu ukrainas gjatë fjalimit të tij të fundit.

*

Përfaqësuesja e të drejtave të njeriut në Ukrainë, Lyudmyla Denisova, tha se 150 deri në 300 trupa mund të jenë në një varr masiv pranë një kishe në qytetin e Bucha. Ndonëse kjo s’është ende e konfirmuar, satelitët kanë arritur të kapin imazhe në një nga rrugët e Bucha-s ku dukeshin shumë trupa të vendosur në po të njëjtin pozicion.

*

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, tha se provat nga Bucha tregojnë “një fushatë të qëllimshme për të vrarë, për të torturuar, për të përdhunuar dhe për të kryer mizori” nga forcat ruse.

*

Nga ana tjetër, Kremlini thotë se pretendimet se forcat ruse kanë kryer krime lufte duke ekzekutuar civilë në Bucha janë një “falsifikim monstruoz” që synon “denigrimin” e ushtrisë ruse. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve se deklaratat e presidentit amerikan Joe Biden që bënte thirrje që presidenti rus Vladimir Putin të gjykohej për krime lufte, ishin të papranueshme dhe të padenjë për një udhëheqës amerikan.

*

SHBA dhe Europa do të vendosin sanksione të reja kundër Rusisë që do të dëmtojnë edhe më ekonominë dhe stabilitetin rus.

*

Republika Çeke iu bashkua gjithashtu vendeve të tjera në furnizimin e drejtpërdrejtë të Ukrainës me armë sulmuese, duke u bërë vendi i parë i BE-së që e bën këtë që nga pushtimi i Rusisë në shkurt.

*

Tëitter njoftoi se do të bëjë publike masa të reja kundër llogarive të qeverisë ruse për të reduktuar ndikimin e propagandës zyrtare në rrjet.