Home Showbiz Angela Martini zgjodhi të kishte djalë: Si zgjidhet gjinia e bebit?

Angela Martini zgjodhi të kishte djalë: Si zgjidhet gjinia e bebit?

Angela Martini i surprizoi të gjithë kur zbuloi në fillim të dhjetorit se ishte bërë nënë e një djali, Kyree, i cili erdhi në jetë nga një nënë surrogate. Në një intervistë të fundit për gazetën zvicerane Blick, modelja zbuloi disa detaje për shtatzëninë e veçantë.

“Për shumë arsye personale, vendosëm që fëmijën tonë ta lindte një nënë surrogate,” tha Angela. “Unë e di sa e pazakontë është një procedurë e tillë në Europë përsa i përket ligjit dhe kulturës.”

Martini u shpreh se falë zhvillimit të shkencës, ajo dhe partneri i saj, Drago Savulescu, qenë në gjendje të zgjidhnin gjininë e fëmijës. Si është e mundur?

Procedura njihet si përzgjedhja e gjinisë dhe bëhet gjatë fekondimit in vitro (IVF). Chrissy Teigen ka zbuluar gjithashtu pesë vjet më parë se zgjodhi të kishte një vajzë kur iu nënshtua fekondimit in vitro. IVF është procesi ku një vezë hiqet nga trupi i një gruaje dhe fekondohet nga sperma në një laborator për të krijuar një embrion. Falë IVF, teorikisht prindërit kanë mundësinë “të zgjedhin” gjininë e foshnjës, ndonëse në fakt bëhet fjalë për një proces të ndërlikuar.

Përpara se një embrion të vendoset në mitër (qoftë ajo e nënës biologjike ose e një nëne surrogate), shumica e klinikave të fertilitetit kryejnë ekzaminimin gjenetik të paraimplantit për të parë nëse ka ose jo çrregullime gjenetike serioze ose fatale. Ky ekzaminim bën një vëzhgim të detajuar për përbërjen e kromozomeve të embrionit për të përcaktuar nëse është mjaftueshëm i shëndetshëm për fazat e mëtejshme. Si pjesë e këtij shqyrtimi, mjekët janë gjithashtu në gjendje të identifikojnë gjininë e embrionit/eve.

Megjithatë, mjekët theksojnë se prindërit mund të jenë në gjendje të zgjedhin gjininë e foshnjës vetëm nëse janë dy embrione (pra vajzë dhe djalë) njësoj të shëndetshme. Shumica e mjekëve të fertilitetit do të inkurajojnë prindërit për përzgjedhjen e embrioneve me cilësi më të lartë, pavarësisht nga gjinia.

A është ide e mirë apo e keqe? Ka mendime të ndryshme. Disa kritikë shqetësohen për paragjykimet e mundshme në zgjedhjen e gjinisë, ndërsa të tjerë besojnë se është një vendim personal që u takon prindërve.