Home SHQIPËRI Arrestimet masive në Shqipëri, kush janë të arrestuarit dhe pse u arrestuan

Arrestimet masive në Shqipëri, kush janë të arrestuarit dhe pse u arrestuan

Prokuroria Speciale e Shqipërisë -SPAK (Struktura e Posaçme Antikorrupsion),ka lëshuar rreth 20 urdhër arreste për funksionarë shtetërorë e privatë të përfshirë në aferën e inceneratorëve.

Afera që mori emrin e inceneratorëve (djegësave të plehrave) ka qenë fokusi i të gjitha sulmeve opozitare dhe të shoqërisë civile për shkak të publikimeve të herëpashershme të dokumenteve që konfirmonin shkeljen e proçedurave në garë.

Gjithashtu, mungesa e përvojës së sipërmarrësve në fushën e kërkuar, lidhjet e tyre okulte me ministra të fuqishëm brenda kabinetit Rama apo edhe shuma e madhe e parave të shpenzuara nga buxheti i shtetit morën vëmendje të shtuar nga opinion publik. Bëhet fjalë për tre inceneratorë : Tiranë, Elbasan dhe Fier, tre qytetet më të mëdha të Shqipërisë.

Në SPAK (Prokurorinë Speciale) u bënë denoncime nga Partia Demokratike, LSI dhe shoqëria civile. Gjithashtu, në Parlament u krijua Komision Hetimor i drejtuar nga Partia Demokratike ku dhanë llogari të gjithë eksponentët e shtetit shqiptar që nga Kryeministri Rama, Kryetari I Bashkisë Veliaj, zëvendëskryeministri Ahmetaj e të tjerë.

I pari i arrestuar ishte Lefter Koka, ish Ministër i Ambientit në Qeverinë Rama 1 për 4 vjet (2013-2017). Sipas akuzës, ai kishte krijuar kompani të dyshimta që faturonin sipërmarrësve të inceneratorëve punë që as nuk ishin kryer ndonjëherë dhe ata xhironin paratë  menjëherë. Këto para, sipas Prokurorisë, dyshohet se përfundonin në xhepat e zotit Koka. Bëhej fjalë për rreth 3,7 milionë Euro. Lefter Koka ishte deputet i sapozgjedhur i Partisë Socialiste me vota masive nga elektorati i Durrësit. Megjithatë, zoti Koka e dorëzoi mandatin përpara se të arrestohej pasi ishte nën hetim.

Arrestimi i Kokës është edhe arrestimi më i bujshëm për korrupsion bashkë me arrestimin e ish Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Pas hetimeve të Komisionit Parlamentar të drejtuar nga znj Jorida Tabaku- deputete e Partisë Demokratike, në SPAK u vijua me një denoncim të ri që përfshinte një spektër më të gjerë të akuzuarish. Seancat e pyetjeve publike treguan një arrogancë e një vetëbesim tej normales të të pyeturve.

Urdhër arrestet e sotme përfshijnë pikërisht administratorë të rëndësishëm në procesin e prokurorimeve por edhe funksionarë të lartë të administratës shtetërore. Në pranga ka rënë Drejtori i Kompanisë më të rëndësishme të nxjerrjes së naftës Albetrol, Florian Muça, administrator i inceneratorit të Fierit, Loran Dusha dhe administratorja e inceneratorit të Tiranës, Ariola Kodra.

Megjithatë, mes këtyre urdhër arresteve deri më tani, duke iu referuar burimeve të konfirmuara pranë Kuvendit të Shqipërisë, mësohet se nuk ka asnjë kërkesë për zyrtarë të lartë, deputetë apo ministra nga ana e SPAK’

SPAK ka tre dosje, një për Elbasanin, një për Tiranën dhe tjetrën për Fierin. Tashmë janë arrestime të zyrtarëve të rolit bazë, që janë marrë me çështje të administrimit.

Të shpallur në kërkim janë të shpallur dy pronarët kryesorë të kompanisë së Inceneratorëve, Klodian Zoto dhe Stella Gugallja.