Home Sport Atletët ankohen për kushtet në Lojërat Olimpike Dimërore

Atletët ankohen për kushtet në Lojërat Olimpike Dimërore

Atletët janë ankuar për organizimin e Lojërave Olimpike Dimërore, duke përmendur ambientet e ftohta dhe rregullat e ashpra të karantinës, transmeton REL.

Pekini ka hapur Olimpiadën katër ditë më parë me premtimet se organizimi do të jetë “i sigurt dhe i shkëlqyeshëm”.

Disa kanë përshëndetur përpjekjet e Kinës për të siguruar Lojëra pa praninë e koronavirusit.

Mirëpo disa pjesëmarrës kanë thënë se janë duke jetuar dhe duke u trajnuar në kushte të mjerueshme.

Ata u kanë kërkuar organizatorëve kushte më të mira.

Delegacioni suedez ka kërkuar që disa garat me ski të mbahen më herët gjatë ditës për të mbrojtur atletët nga temperaturat tejet të ftohta.

Zyrtarët suedezë kanë reaguar pasi atletja e këtij shteti, Frida Karlsson është parë duke u dridhur dhe buzë kolapsit në garën e saj me ski të shtunën.

Sipas rregulloreve ndërkombëtare për ski, garat nuk lejohen të mbahen nëse temperaturat arrijnë në -20 gradë Celsius.

Temperaturat të shtunën është thënë se kanë qenë -13 gradë Celsius, mirëpo shefi i ekipit suedez, Anders Bystroem, u ka thënë gazetarëve se temperaturat kanë qenë rreth -31 gradë Celsius, duke marrë parasysh erërat e ftohta.

“Ne kemi limitet e të ftohtit, mirëpo nuk e di nëse e masin edhe efektin e erës”, ka thënë Bystroem për agjencinë e lajmeve Reuters.

Lojërat Olimpike Dimërore zgjasin deri më 20 shkurt.