Home Maqedoni Bekteshi: Mbaroi muaji i mjaltit për Kasamin! Të publikohen kontratat në vepër...

Bekteshi: Mbaroi muaji i mjaltit për Kasamin! Të publikohen kontratat në vepër për muajin janar dhe shkurt

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi sot komentoi publikimin e listët së kontratave në vepër në Komunën e Tetovës për periudhën kur me këtë komunë menaxhonte Teuta Arifi nga BDI, përcjell TV21. Bekteshi thotë se kryetari aktual i komunës, Bilall Kasami duhet të ketë kujdes me të dhënat personale të personave të angazhuar, ndërkaq bën thirrje që të publikohen edhe kontratat për muajin janar dhe shkurt të vitit 2022.

“Është me rëndësi të theksohet fakti që në mënyrë transparente dhe të hapur me siguri duhet të publikohen të gjitha të dhënat, por duke pasur kujdes edhe për të dhënat personale të qytetarëve. Do të kisha dashur të bëj thirrje që z.Kasami të publikojë kontratat në vepër edhe gjatë muajit janar dhe ato të cilat vetëm se janë nënshkruar edhe për muajin shkurt, që qytetarët të mund të bëjnë krahasimin si është bërë menaxhimi i Komunës së Tetovës në të kaluarën dhe si bëhet tani” tha mes tjerash Bekteshi.

Bekteshi tha se ka mbaruar 100 ditëshi nga ndërrimi i pushtetit lokal në Tetovë, dhe se është koha që Kasami të nis përmbushjen e programit me të cilin fitoi zgjedhjet.

“Sa i përket mënyrës se si menaxhon z.Kasami, mendoj se është kryer më muaji i mjaltit dhe 100 ditëshi. Nuk duhet të merret shumë me atë se çfarë është bërë në të kaluarën, por të realizojë programin me të cilin e ka fituar besimin nga qytetarët e Komunës së Tetovës”, theksoi Bekteshi.