Home Rajon Bislimi korrigjohet për deklaratën e zv.sekretarit të KE-së: Më vjen keq për...

Bislimi korrigjohet për deklaratën e zv.sekretarit të KE-së: Më vjen keq për zgjedhjen e termit joadekuat


Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i ka kërkuar falje zëvendës-sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Bjorn Berge, për shtrembërimin e deklaratës lidhur me takimin e tyre në Strasbourg.

Bislimi ka shkruar në “Twitter” se Berge, e ka mirëpritur iniciativën e Kosovës për aplikim në Këshill të Evropës.

Por Berge e ka demantuar atë, duke e quajtur përshkrim jo të saktë.

“Me keqardhje, ky s’ka qenë përshkrimi korrekt i asaj që kam deklaruar në takim sa i përket aplikimit të mundshëm në Këshill të Evropës”, ka thënë Berge.

Pas kësaj, Bislimi ka përmirësuar gabimin dhe ka thënë se i vjen keq që ka përdorur termin jo adekuat.

Sipas tij, në vend të fjalës “ai mirëpriti”, do duhej të ishte “ne informuam”.

“Me të vërtetë falënderues për zëvendës-sekretarin Bjorn Berge, për takimin e shkëlqyer dhe shkëmbimin e mendimeve. Me të vërtetë më vjen keq për zgjedhjen e termit joadekuat në tweet-in tim të fundit. Në vend të fjalës “ai mirëpriti”, përshkrimi i saktë duhet të ishte”ne informuam”, shkroi Bislimi.

Më pas Berge, falënderoi Bislimin për korrigjimin.

“Faleminderit për këtë sqarim të rëndësishëm. Dhe faleminderit për një takim shumë të mirë dhe shkëmbim mendimesh dje”, shkroi ai në Twitter.

Shtrembërimi i deklaratës së Bislimit ngjalli reagime edhe brenda Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar dorëheqje të menjëhershme të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.

Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, në një konferencë për media, tha se kjo ndodh në kohën kur Kosova me të drejtë kërkon përshpejtimin për anëtarësimin e domosdoshëm të saj në NATO, BE, Këshill të Evropës dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Sipas saj, demantimi nga zëvendës-sekretari i Këshillit të Evropës është një skandal i madh diplomatik, që i kushton rëndë vendit.

“Është një përfaqësim jodinjitoz nga zoti Bislimi, i cili dëmton rëndë procesin e anëtarësimit, pikërisht në Këshillin e Evropës, institucion ky që kishim gjasa të mëdha të anëtarësimit pas suspendimit të Rusisë”, tha Halimi.

E ish-ambasadorja e Kosovës në Washington, Vlora Çitaku, huqjen e Bislimit e ka quajtur skandal.

Ajo tha se deklarata e Bislimit ka dëmtuar rëndë agjendën e Kosovës.

Sipas Çitakut, ky veprim është mungesës e profesionalizmit, dhe përpos që është skandal, është edhe e dëmshme për Kosovën. /Telegrafi/