Home Maqedoni Çairi dhe Bursa thellojnë bashkëpunimin

Çairi dhe Bursa thellojnë bashkëpunimin

Në Komunën e Çairit mirëprita delegacionin e Republikës së Turqisë, gjegjësisht nga Bursa, të udhëhequr nga zëvendëskryetari Sulejman Çelik, deputetë të parlamentit turk, sikurse edhe udhëheqës të sektorëve komunal. Gjatë këtij takimi me mysafirët diskutuam rreth bashkëpunimit mjaft të frytshëm që kemi nisur shumë vite më parë me komunën e Bursës, por edhe folëm për mundësinë se si këtë bashkëpunim ta ngrisim në një nivel shumë më të lartë.

Me këtë rast përkujtova se të kemi krah vetes një partner si Bursa nënkupton edhe të kemi Çair më të zhvilluar, jetesë më të mirë për banorët tanë, mirëqenie më të avancuar.

Jemi të gatshëm të japim çdo lloj mbështetje që të tërheqim madje edhe investime nga Bursa tek ne, të bashkëpunojmë për realizimin e ideve dhe projekteve të ndryshme, sepse dihet se çelësi i çdo suksesi padyshim është përkushtimi në punë si dhe bashkëpunimi me miqtë.

Në takimin e sotëm që patëm me delegacionin nga Bursa të pranishëm ishin edhe deputetja e zonës Merita Koxhaxhiku, kryesuesi i Këshillit Komunal Jetmir Asani, ish-kryesuesi Zahur Bekteshi, kryetari i OH El Hilal Behaxhudin Shehapi, këshilltarë komunalë, drejtorë shkollash e kopshtesh, sikurse edhe përgjegjësit të sektorëve komunal të Çairit.