Home Maqedoni Çfarë kërkon VMRO dhe Levica, realizon Besa dhe Aleanca

Çfarë kërkon VMRO dhe Levica, realizon Besa dhe Aleanca

Arben Taravari nga ASH ndërron taktikë dhe atë që nuk arriti të bëjë shumicë parlamentare para do kohësh, dëshiron ta bëjë përmes protestave. Qëllimi i tij është në këtë mënyrë të rrëzojë qeverinë, e pastaj, bashkë me opozitën maqedonase, të krijojnë kushte për zgjedhje të parakohshme.

Ai ka thënë se ka strategji dhe se pas kongresit të partisë ata do të jenë më të ashpër në kërkesat për drejtësi.

“Kuptohet se do të dalim edhe në rrugë. Ne do ta mbajmë kongresin më 27 Mars. Kemi strategji si do të veprojmë si opozitë, do të jemi më të ashpër, më agresivë dhe do të kërkojmë drejtësi me çdo çmim.” – thotë Taravari.

Paralajmërimi për një gjë të tillë i sekretarit të përgjithshëm të ASH-së, Arben Taravari lë dyshime rreth strategjisë së veprimit të opozitës, e cila bazuar në të kaluarën e afërt mund të nënkuptojë edhe vazhdim të bashkëpunimit të afërt të Aleancës për Shqiptarët me subjektet opozitare maqedonase si VMRO DPMNE dhe Levica, të njohura për qëndrimet e tyre anti marrëveshjes së Ohrit, Prespës, marrëveshjes së fqinjësisë së mirë që nëse nuk respektohen dhe zbatohen rrezikojnë rrugëtimin e vendit drejt Bashkimit Europian.

Mbetet të shihet se a do të vazhdojë Aleanca për Shqiptarët të jetë “argat” dhe bashkëpunëtor i subjekteve politike maqedonase për të arritur qëllimet që një subjekt duhet t’i arrijë përmes votës. Prandaj është për t’u parë edhe ky episod, ku në rolin kryesor duket se është prapë Taravari, ithtari më i madh në Alencën për Shqiptarët për një bashkëpunim të ngushtë me subjektet e sipërpërmendura.