Home Botë Çfarë po ndodh momentalisht në botë?

Çfarë po ndodh momentalisht në botë?

“Ata u pushkatuan të gjithë”: Rusia akuzohet për krime lufte në Bucha

Tërheqja e forcave ruse rreth Kievit ka lënë prova të tmerrshme të mizorive kundër civilëve. Në Bucha, një qytet në veri-perëndim të kryeqytetit, u gjetën tanke dhe automjete ushtarake ruse të djegura dhe të shpërndara me trupat e civilëve, për të cilët vendasit thanë se ishin vrarë nga forcat pushtuese.

Gazetarët nga Agence France-Presse (AFP) panë të paktën 20 trupa, të gjithë me veshje civile, të shpërndara nëpër një rrugë të vetme në Bucha, dhe trupi i një fotografi të zhdukur ukrainas, Maksim Levin, u zbulua në një fshat aty pranë.

“Të gjithë këta njerëz u qëlluan,” tha për AFP kryebashkiaku Anatoly Fedoruk i cili shtoi se 280 trupa të tjerë ishin varrosur në varre masive në qytet. “Këto janë pasojat e pushtimit rus”.

Përdhunimet: Rritet numri i rasteve të dhunës seksuale në Ukrainë

Gratë në të gjithë Ukrainën po përballen me kërcënimin e përdhunimit si një armë lufte, ndërkohë që ka prova gjithnjë e në rritje të dhunës seksuale në zonat ku forcat ruse janë tërhequr.

Bota u tmerrua së fundmi nga një foto e bërë nga fotografi Mikhail Palinchak në një autostradë 20 km jashtë kryeqytetit, Kiev, në të cilën trupat e një burri dhe tre grave ishin vendosur nën një batanije. Gratë ishin të zhveshura dhe trupat e tyre ishin djegur pjesërisht, tha fotografi.

Imazhi tronditës është një nga provat se ekzekutimet, përdhunimet dhe torturat janë përdorur kundër civilëve në zonat nën kontrollin rus.

Një burrë gjerman mendohet se është vaksinuar 90 herë për të shitur certifikatat e vaksinimit

Një burrë 60-vjeçar dyshohet se është vaksinuar kundër Covid-19 dhjetëra herë në Gjermani për t’u shitur kartat e vaksinimit njerëzve që nuk donin ta bënin vaksinën.

Burri nga qyteti Magdeburg, emri i të cilit nuk u publikua në përputhje me rregullat gjermane të privatësisë, thuhet se ka marrë bërë deri në 90 vaksina kundër Covid në qendrat e vaksinimit në Saxony për muaj të tërë derisa u kap nga policia.

I dyshuari nuk është arrestuar, por është nën hetim për dhënien e certifikatave të vaksinimit pa autorizim dhe falsifikim dokumentesh, raporton agjencia e lajmeve dpa.

Për momentin, nuk është e qartë se çfarë ndikimi kanë patur në shëndetin e burrit rreth 90 injeksione të vaksinave Covid-19, të cilat ishin të markave të ndryshme.

Një trajtim i ri për kancerin është duke u zhvilluar

Shkencëtarët po përsosin një trajtim të ri kundër kancerit që shfrytëzon sistemin qelizor të trupit për asgjësimin e mbetjeve. Disa barna tashmë po japin rezultate premtuese dhe numri i ilaçeve të reja pritet të rritet në të ardhmen e afërt dhe do të hapet një qendër në Britani për përdorimin e teknikës.

Shumë ilaçe moderne kundër kancerit funksionojnë duke bllokuar funksionin e proteinave të dëmshme, tha profesori Ian Collins, kreu i qendrës së re. Megjithatë, kjo teknikë është e ndryshme, shtoi ai. I fshin ato plotësisht.