Home Botë Dita 51 e luftës: Si është situata në Ukrainë

Dita 51 e luftës: Si është situata në Ukrainë

· Jetët e rreth 2.7 milionë njerëzve me aftësi të kufizuara janë në rrezik në Ukrainë, ka paralajmëruar një komitet i OKB-së, duke cituar raporte se shumë prej tyre janë të bllokuar ose të braktisur në shtëpi, qendrat e kujdesit dhe jetimoret pa furnizime bazë ose ilaçe. Komiteti tha se ishte “thellësisht i shqetësuar” që fati i personave me aftësi të kufizuara në Ukrainë është “kryesisht i panjohur”.

· Rreth 503 civilë, përfshirë 24 fëmijë, janë vrarë në rajonin lindor të Ukrainës, Kharkiv që kur Rusia nisi pushtimin më 24 shkurt, ka thënë guvernatori lokal i rajonit.

· Zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Alexander Grushko tha se Moska do të marrë “masa sigurie dhe mbrojtjeje që ne do t’i konsiderojmë të nevojshme” nëse Suedia dhe Finlanda i bashkohen NATO-s.

· Komiteti hetues i Rusisë tha se forcat ukrainase kryen të paktën gjashtë sulme ajrore me helikopterë në fshatin Klimovo në rajonin rus Bryansk, duke plagosur shtatë persona.

· Ministria e Jashtme e Ukrainës i ka bërë thirrje Kombeve të Bashkuara për të lehtësuar kthimin e fëmijëve ukrainas që janë “deportuar ilegalisht” në Rusi.

· Turqia po punon ende për organizimin e një takimi mes Putinit dhe Zelensky-t tha ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se kushti për një takim mes presidentëve rus dhe ukrainas është një dokument gati për të dy liderët që ta nënshkruajnë.

· Zelensky publikoi një video ku u kërkon vendeve europiane të heqin dorë nga nafta ruse që i siguron Moskës para “gjaku” dhe apeloi për më shumë armë për të ndihmuar Ukrainën të zmbrapsë pushtimin rus.

· Anija ruse Moskva është fundosur në Detin e Zi në jug të Ukrainës, sipas Ministrisë së Mbrojtjes në Rusi. Është ende e paqartë nëse anija është goditur nga armatimi ukrainas. Ukraina pretendon se u godit nga forcat e saj, por Rusia pohon se faji ishte një zjarr në bord dhe më pas “kushtet e stuhishme të detit”. Rusia ka vetëm tre anije të tilla luftarake, të cilat kanë ekuipazh prej gati 500 marinarësh dhe humbja e Moskva është një goditje e madhe. Ish-drejtori i CIA-s, David Petraeus e përshkroi faktin që Rusia pranoi humbjen e anijes si një “moment të rrallë të së vërtetës. Jam i befasuar që ata e pranuan atë,” tha ai për BBC-së.