Home Uncategorized Dyshohet se qarkullon në Shqipëri: Ç’duhet të dini për nënvariantin e Omicron

Dyshohet se qarkullon në Shqipëri: Ç’duhet të dini për nënvariantin e Omicron

Një nënvariant i Omicron – i njohur si BA.2 – po qarkullon me shpejtësi në shumë vende europiane dhe dyshohet se mund të jetë konfirmuar edhe në vendin tonë.

Në një komunikim për mediat në fund të marsit, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, u shpreh se po vleresoheshin mostrat për identifikimin e variantit të Omicron.

“Një nënvariant i Omicron BA.2 është duke qarkulluar në vende të ndryshme, kryesisht vendet europiane, ku ka një tendencë sot në rritje të rasteve të infektimeve, sepse ka një transmetueshmëri shumë të lartë. Ajo çfarë po vërehet është që gjithashtu vaksinimi, sidomos doza e tretë, ndihmon në reduktimin e rasteve të rënda dhe uljen e hospitalizimeve dhe tek fatalitetet. Aktualisht në Shqipëri nuk kemi ende raste të konfirmuara. Por sigurisht ne jemi duke vijuar nëpërmjet survejancës tonë aktive dhe duke vlerësuar mostrat të cilat vijnë në Institutin e Shëndetit Publik, për t’i çuar në laboratorët e referencës,” – tha Manastirliu.

Ditën e djeshme, A2CNN raportoi se në Institutin e Shëndetit Publik kanë mbërritur përgjigjet e analizave nga laboratori i Berlinit, i cili ka identifikuar rastet e para me këtë mutacion edhe në vendin tonë.

I ngjashëm me një ftohje 

“Deri më tani, ne po shohim është vërtet i ngjashëm me variantin origjinal të Omicron për sa i përket simptomave dhe ashpërsisë,” tha për HuffPost Dr. Erica Johnson, një mjeke në Qendrën Mjekësore Johns Hopkins.

Pra, si shtami origjinal i Omicron (BA.1), simptomat kryesore të një infeksioni të lehtë janë:

– kollë
– temperaturë dhe ethe
– lodhje
– dhimbje muskujsh ose trupi
– dhimbje koke
– të përziera ose të vjella

– mund të humbasë shija ose nuhatja
– diarre

– mund të ketë skuqje të lëkurës

Dr. Jennifer Lighter, një specialiste e sëmundjeve infektive, vuri në dukje se shumë pacientë me Omicron shfaqën simptoma të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes:

– kollë
– rrjedhje nga hundët
– dhimbje fyti

Sipas Lighter, BA.2 gjithashtu duket se synon traktin e sipërm respirator. Nga të dhënat e disponueshme deri tani, BA.2, ashtu si BA.1, tenton të shkaktojë sëmundje më pak të rënda. Në këtë pikë ndikon edhe vaksinimi, pasi ul ndjeshëm shanset për t’u sëmurur rëndë.