Home Rajon E heshtur dhe pa rezultate konkrete – opozita kritika ndaj punës një...

E heshtur dhe pa rezultate konkrete – opozita kritika ndaj punës një vjeçare të presidentes Osmani


Presidentja Vjosa Osmani ka bërë dje plot një vit, që kur ajo erdhi në krye të Presidencës së Kosovës. Gjatë kësaj periudhe, Osmani sipas partive opozitare nuk është se ka pasur ndonjë të arritur, përkundrazi sipas tyre presidentja ka heshtur ndaj shumë temave të cilat kanë ndikuar në jetën e qytetarëve.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra në një përgjigje për Telegrafin, u shpreh se heshtja e presidentes Osmani flet më shumë se kushdo tjetër për punën e saj një vjeçare.

“Roli i saj fatkeqësisht gjatë këtij viti ka qenë i pavërejtshëm dhe i papërfillshëm dhe ky nuk është vlerësim vetëm i yni por është rruga që ajo e ka zgjedh. Ajo heshti përballë humbjeve të dhjetëra jetëve nga pandemia në verën e vitit të shkuar. Ajo heshti për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe po heshtë në mënyrë të pashpjegueshme për këtë gjendje jashtëzakonisht të rënduar të qytetarëve të Kosovës pas ngritjes së çmimeve të produkteve për jetesë. Prandaj heshtja e saj për këtë vit flet me shumë se kushdo tjetër për punën dhe angazhimin e saj”, u shpreh Deliu-Kodra.

Në anën tjetër, deputetja e LDK-së, njëherit edhe kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane, Rrezarta Krasniqi tha se gjatë anagazhimit një vjeçar të Presidentes Vjosa Osmani, nuk është vërejtur progres në fushën e integrimit të vendit.

“Ndonëse ne kemi parë se ajo ka marrë pjesë në disa vizita zyrtare për gjatë kësaj periudhe, por që nuk janë shfrytëzuar ndoshta sa duhet për forcimin e pozitës së vendit në arenën ndërkombëtare, duke kërkuar më shumë mbështetje në këtë rrugëtim”, tha Krasniqi për Telegrafin.

Ajo u shpreh se nëse krahasojmë punën e Qeverisë Kurti me atë të Presidencës, vërehet dukshëm më tepër angazhim nga ana e presidentes Osmani ani pse mungojnë rezultatet konkrete.

“Megjithatë nëse mund të bëjmë një krahasim me punën e Qeverisë Kurti, e cila nuk ka bërë asgjë të mirë për vendin, Presidentja Osmani ka treguar dukshëm më tepër angazhim ndonëse mungojnë rezultatet konkrete, nuk ka njohje të reja e as anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, për çka qeveria nuk ka bërë as përpjekje minimale”, tha deputetja Krasniqi.

Deputetja e LDK-së më tej shtoi se ka pasur stagnim në fushën e integrimit të vendit, për çka ajo konsideron se është dashur të shfrytëzohen kontaktet dhe vizitat zyrtare për të siguruar përkrahje në integrimin e vendit.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri u shpreh se presidentja pas marrjes së detyrës nuk ka pas ndonjë temë për tu raportuar. Ai përmendi çështjen e shkarkimit dhe emërimit të ambasadorëve, ku për këta të fundit thotë se është një njollë e zezë e shumicës parlamentare.

“Në një vjetorin e presidentes së vendit nuk ka pas diçka që mundet me u raportu si një temë e caktuar. Ajo ka ushtuar funksionin e saj duke i thirr partitë pulitke por nuk shoh një veprim ndryshe se si ka qenë…ajo ka pas takime edhe me kryetarët e partive politike por është tepër me rëndësi që ky funksion të ushtrohet në funksion të detyrave kushtetuese për me qenë person unifikues. Ajo që them se secili president dhe zyrtarë të lartë politikë kur e kthejmë kokën mbrapa dhe e vlerësojmë, e vlerësojmë për cilësinë e punës dhe konsultimin që e ka pas ajo apo ai. Pra cilësia është e rëndësishme që mos me ra në ndikim politikë. Shkarkimi i ambasadorëve, emërimi i njerëzve të lidhur me shumicën parlamentare ka qenë dhe vazhdon të jetë gabim dhe vazhdon të jetë një njollë e zezë e kësaj shumice parlamentare”, tha Tahiri dje para mediave, pas mbledhjes së Kryesisë.

Vetë presidentja Vjosa Osmani përmes një konference për media të mbajtur dje foli për punën e saj gjatë një viti në krye të Presidencës. Ajo u shpreh si udhëheqëse e politikës e jashtme ka punuar për të siguruar që të përfaqësohemi me dinjitet dhe krenari në çdo cep të botës.

“Jam përpjekur maksimalisht që krahas me përmirësimin e imazhit ndërkombëtar të vendit, të punojë edhe për subjektivitetin ndërkombëtar. Politika jonë e jashtme mbetet reflektim edhe i asaj se sa jemi shtet i fuqishëm përbrenda, prandaj kam mbrojtur në çdo takim e në çdo rast interesat e shtetit sovran të Kosovës, duke paraqitur njëkohësisht potencialin e jashtëzakonshëm të vendit tonë e që është të rinisë tonë të mrekullishme”, u shpreh Osmani.

Osmani shtoi se janë duke punuar vazhdimisht për avancimin e rrugës drejt integrimit euro-atlantik, derisa u shpreh optimiste për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Skepticizëm presidentja shprehu sa i përket mundësisë së anëtarësimit në NATO duke theksuar se ky proces është shumë i komplikuar pasi kërkon votim dhe vendim me unanimitet të të gjitha vendeve anëtare.

Më 4 prill të 2021-ës, Kuvendi i Kosovës, në një seancë të jashtëzakonshme, me 71 vota pro, zgjodhi presidente të vendit, Vjosa Osmanin. Osmani u zgjodh pas raundit të tretë të votimit ku votuan 82 deputetë.

71 nga deputetët votuan për Vjosa Osmanin, 11 vota rezultuan të pavlefshme, ndërsa për kandidatin tjetër Nasuf Bejta nuk votoi asnjë deputet. /Telegrafi/