Home Sport Giresse debuton me fitore, Kosova e pamëshirshme ndaj Burkina Fasos

Giresse debuton me fitore, Kosova e pamëshirshme ndaj Burkina Fasos


Kosova ka arritur të shënojë fitore në ndeshjen miqësore ndaj Burkina Fasos të zhvilluar në “Fadil Vokrri” me rezultat të thellë 5-0.

Përzgjedhësi Alain Giresse debutoi në këtë takim me Kosovës, që doli të jetë fatsjellës për të, pasi skuadra e tij shënoi pesë herë, ndaj një kombëtareje të respektuar afrikane si ajo e Burkina Fasos.

Ndeshja nisi shumë mirë për Kosovës që arritën të shënonin që në minutën e 3-të.   Një goditje nga këndi u shfrytëzua më së miri, ku topi erdhi te Edon Zhegrova, i cili harkoi në zonë për të gjetur Fidan Alitin, i cili goditi bukur me të parën për të dërguar topin në rrjetë për 1-0.

Pas golit ndeshja ra paksa, me mysafirët që tentonin të bënin më shumë, por që nuk arritën të shënonin.

Kosova u kthye sërish në aksion në minutën e 23-të, kur erdhi edhe goli i dytë në ndeshje.

Pas një aksioni të gjatë, Milot Rashica asistoi te Astrit Selmani, i cili gjuan shumë bukur nga brenda zonës për 2-0.

Burkina Faso pasi pranoi golin e dytë, kishte tre raste të njëpasnjëshme, por që në të tria rastet në vend ishte Samir Ujkani, duke mos lejuar gol.

Minutat e fundit të pjesës së parë ishin më të qeta, ku Kosova menaxhonte rezultatin që kishte, duke bërë më shumë pasime në mbrojtje.

Me të filluar pjesa e dytë, Kosova arriti të gjejë edhe golin e tretë, pikërisht në minutën e 53-të.

Një kundërsulm model u nis nga Edon Zhegrova, që gjeti Milot Rashicën i cili asistoi te Mërgim  Vojvoda që në portën e zbrazët shënoi për 3-0.

Në anën tjetër Burkina Faso kishte një penallti në minutën e 65-të të ndeshjes, por që Samir Ujkani e priti atë.

Pas tre minutash Milot Rashica shënon për 4-0 pas një asistimi të Ibrahim Dresevic.

Goli i pestë në ndeshje erdhi në minutën e 75-të, kur Toni Domgjoni nga një pozitë e vështirë pothuajse në vijën e fundit, gjuan dhe shënon për 5-0.

Krejt në fund Florent Muslija goditi shtyllën nga një goditje dënimi.

Fitore e mirëseardhur e Kosovës, që fillon në cikël të ri me Alain Giresse./Telegrafi/