Home Rajon Gjimshit Galushi, gjyqtari i vetëm rom në Kosovë: Me punë arrini gjithçka

Gjimshit Galushi, gjyqtari i vetëm rom në Kosovë: Me punë arrini gjithçka


I lindur dhe rritur në lagjen “Terzimahalla”, në Prizren, lagje kjo në të cilën jetojnë banorët nga radhët e komunitetit rom, Gjimshit Galushi është gjyqtari i vetëm në Kosovë nga ky komunitet. Ai është shembulli më i mirë i suksesit të arritur me punë.

63 vjeçari për herë të parë ekipit të Telegrafit ia hapi dyert e Gjykatës Themelore në Prizren, prej edhe ku ai e zhvillon veprimtarinë dhe jep kontributin e tij, për ta rrëfyer një pjesë të punës së tij dhe rrugëtimin ndër vite.

“Unë pra jam gjyqtar i vetmi në Kosovë që vije nga radhët e komunitetit rom. Jam i lindur në vitin 1959, në qytetin e bukur të Prizrenit, në lagjen e romëve të njohur si “Tezimahalla”. Shkollimin fillor dhe të mesëm  e kam përfunduar në Prizren kurse fakultetin në Prishtinë. Vijë nga një familje e shkolluar dhe e arsimuar. Për herë të parë fillova të punoj në një fabrikë të fijeve sintetike në Prizren, ku kam punuar si referent për çështje juridike. Pas luftës në Kosovë me referencën e përfaqësuesit special, sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në atë kohë Bernard Krushner, jam emëruar edhe si gjyqtarë me seli në Dragash ku kam punuar në referatin jashtë konstetimor kam qëndruar shumë pak aty sepse nuk ishin mundësit, sidomos transporti”, tregoi ai.

Galushi ka rreth 22 vjet që e ushtron detyrën e gjykatësit, ai këtë detyrë e kishte ëndërruar qysh në fëmijëri dhe që me përkrahjen e prindërve të tij kishte arritur ta realizonte.

“Unë punoj si gjyqtarë rreth 22 vjet pas luftës, duke mos llogaritur ato vitet të mëhershme që kam punuar si praktikat dhe si bashkëpunëtorë profesional. Vetëm diçka po dua ta potencoi që ëndrrën që të bëhesha gjykatës e kisha qysh në fëmijëri, dhe e kam realizuar. Mirëpo, falë prindërve të mijë nga të cilët e kam pasur një përkrahje të madhe, unë jam ky që jam sot. Unë jam shumë i lumtur që me profesionin tim kam arritur t’i edukojë edhe fëmijët e mijë, së bashku me bashkëshorten time Samilen me të cilën i kam dy djem dhe një vajzë që të tre janë me arsimim të lartë dhe jam shumë krenar për këtë gjë”, rrëfeu gjykatësi Galushi.

Madje Galushi kujton rastin, kur ishte ndjerë më të vërtetë i diskriminuar në kohën kur ishte duke i ndjekur studimet për provimin e jurisprudencës në Beograd.

“Çdo herë ka pasur paragjykime dhe diskriminime qoftë me shqiptarë qoftë me komunitete kështu që edhe unë mundem të them se gjatë kohës kur kam qenë në shkollë ka pasur diskriminime të vogla, mirëpo diskriminimi më i madh dhe kur unë e kam ndjerë vetën me të vërtetë i diskriminuar është gjatë kohës kur isha në Beograd për kalimin e provimit të jurisprudencës , atëherë e mbajë mend që jam ndjerë shumë i diskriminuar për shkak të kohës, kur e kam qenë atje unë ishte kohë lufte. Përndryshe unë nuk jam gjyqtar vetëm i komunitetit rom unë jam gjyqtar i tërë Republikës së Kosovës. Çka po dëshiroj të them është se kur vjen dikush që unë duhet ta gjykojë e që ai njeri është nga komuniteti rom, ata e ndjejnë vetën shumë mirë. Po ashtu unë i flas katër gjuhë, përveç që e foli gjuhën time amtare romishtën, e flasë edhe gjuhën shqipe, gjuhën serbo-kroate dhe gjuhën turke. Mirëpo me romët e flas romishtën dhe kjo i bënë ata të ndihen më të sigurt dhe më lirë”, tha ai.

Gjyqtarit Galushi i mbetet vetëm një merak pasi të pensionohet, sipas tij brenga e vetme është që nuk do të ketë pasardhës që do ta vazhdojnë profesionin e gjykatësit nga komuniteti rom.

“Nuk do të doja të flisja për këtë por do ta ceki një gjë sepse unë kisha pengesa edhe në avancimin tim. Mos t’i kisha pasur këto pengesa unë sot do të isha edhe gjyqtarë i Gjykatës Supreme të Kosovës. Sepse jam i vetmi gjyqtar prej minoriteteve në Kosovë. E brenga ime është që nuk do të kem pasardhës kur do ta përfundoj mandatin si gjyqtar që është afër edhe 2 vjet e gjysmë. Sepse nuk ka rom të cilët e kanë përfunduar provimin e jurisprudencës dhe që  munden pastaj të inkuadrohen në sistemin gjyqësorë”, u shpreh ai.

E në fund ai e kishte edhe një mesazh shumë përmbajtjesorë për të gjithë sidomos për pjesëtaret e komuniteteve në Kosovë.

“Mesazhi im është që me punë e arrini gjithçka që dëshironi. Nuk ka diskriminim kur punoni ju vetë, nuk ka diskriminim kur dëshironi ju të bëni diçka dhe punoni me e arrit një qëllim. Me punë, punë dhe vetëm me punë arrini”, përfundoi ai./Telegrafi/