Home Bota Greqia ia zgjat dorën RMV-s, i ofron çfarëdo lloj ndihme

Greqia ia zgjat dorën RMV-s, i ofron çfarëdo lloj ndihme

Forcimi i marrëdhënieve ekonomike bilaterale me theks në sektorin energjetik dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, ishin në fokus të bisedimeve të zëvendësministrit grek të Punëve të Jashtme Kostas Frankojanis, me përfaqësuesit qeveritarë nga Maqedonia e Veriut, kumtoi MPJ-ja greke, njofton AIM.

Zëvendësministri grek i Punëve të Jashtme edhe pardje ishte për vizitë dyditore të punës në vendin tonë dhe u takua me zëvendësministren e Punëve të Jashtme Fatmire Isaki, me zëvendëskryeministrin për Çështjet Evropiane Bojan Mariçiq dhe zëvendëskryeministrin për çështje ekonomike. Fatmir Bytyqin, me ministrin e Ekonomisë dhe të Financave, Kreshnik Bekteshi dhe Fatmir Besimi, ndërsa u prit edhe nga kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Për takimin me kryeministrin, nga MPJ-ja greke kumtuan se Frankojanis i ka dëshiruar sukses në punë dhe “e transmetoi mbështetjen e Greqisë për procesin aderues të Maqedonisë së Veriut dhe në të njëjtën kohë e theksoi nevojën për implementimin e Marrëveshjes së Prespës nga ana e Maqedonisë së Veriut”.

Mesazhin e njëjtë, Frankojanis e përsëriti edhe në takimet me Isakin dhe Mariçiqin, paralelisht duke e shprehur “gatishmërinë e qeverisë greke për të ofruar çdo lloj mbështetje në përpjekjet aderuese të Maqedonisë së Veriut, si dhe njohuri teknike për zbatimin e reformave të nevojshme”.

Lidhur me pjesën ekonomike, sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, në takimet me Bytyqin, Besimin dhe Bekteshin, “aspektet e agjendës pozitive në marrëdhëniet bilaterale midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe perspektiva për zgjerimin e lidhjeve ekonomike dhe tregtare midis dy vendeve”.