Home KOSOVË Haxhiu e hapur për takim me të akuzuarit në Hagë

Haxhiu e hapur për takim me të akuzuarit në Hagë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu konfirmoi që do të udhëtojë në fund të këtij muaji drejt Hagës për ta takuar të gjithë ata që janë duke u gjykuar nga Dhomat e Specializuara.

“Në fund të këtij muaji unë bashkë me Komisionin për Legjislacion, në fakt kryetarin dhe një anëtar të këtij komisioni, si dhe bashkë me nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, kemi planifikuar që ta kemi një vizitë në Hagë”.

Ajo pranoi që disa prej ish-krerëve të UÇK-së nuk kanë pranuar të takohen me zëvendësministrin e Drejtësisë, Blerim Sallahu, kur ai ka qenë në vizitë vitin e kaluar.

“Është e vërtetë që disa prej tyre nuk e kanë pritur ministrinë e Drejtësisë në vitin e kaluar në vizitë, por si ministri e Drejtësisë kemi obligim që të bëjmë kërkesa për të gjithë pavarësisht dallimeve politike që kemi për çështjet që kanë ndodhur pas luftës. Sa i përket luftës çlirimtare të UÇK-së kemi një qëndrim – lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë për çlirim, prandaj problemet e pasluftës politike me ta nuk më bëjnë mua që të mos kërkoj që t’i vizitoj. Mbetet në vullnetin e tyre nëse duan ta presin apo jo ministrinë e Drejtësisë. Ne do të shkojmë atje dhe do të vizitojmë të gjithë ata që pranojnë të na takojnë”,  tha Haxhiu.