Home KOSOVË Historia e pazakontë e shqiptarit që gjeti në rrugë çantën e Meryl...

Historia e pazakontë e shqiptarit që gjeti në rrugë çantën e Meryl Streep

Të gjesh një kuletë në rrugë nuk është diçka e pazakontë, por të gjesh kuletën e Meryl Streep – një ndër aktoret më të jashtëzakonshme në historinë e kinemasë – duket e pabesueshme, por jo e pamundur.

Një mbrëmje të bukur, Zymer Berisha, një shqiptar i Kosovës që jeton prej dy dekadash në Brooklyn dhe punon si recepsiont, pa në rrugë një çantë. Ai tregoi për emisionin “Rudina” se vuri re që shumë makina po kalonin sipër çantës dhe mendoi që ta largonte nga rruga.

Historia e pazakontë e shqiptarit që gjeti në rrugë

Pasi e hoqi, ai e hapi çantën dhe vuri re se brenda kishte dokumente, një kuletë dhe $2,000. Në letërnjoftim, Berisha lexoi emrin “Meryl Streep”. S’po u besonte syve! Ai mbante në duar çantën e aktores së tij të preferuar.

Ai tregoi për Rudina Magjistarin se telefonoi disa prej numrave të kontaktit që mundi të gjente te dokumentet në çantë dhe foli me të bijën e Meryl Streep. Ajo jeton aty pranë dhe shkoi në ndërtesën ku Berisha punon si recepsionist për të marrë çantën e humbur. Pasi e falenderoi, ajo u largua për t’u rikthyer sërish, këtë herë e habitur që shuma e parave nuk ishte prekur. “Oh, Zot! Nuk mungon asnjë cent,” i tha ajo Berishës. E bija e aktores këmbënguli që t’i jepte një shpërblim, por ai refuzoi. “Babai im më ka thënë që nëse gjen diçka që nuk është e jotja, ajo nuk është e jotja,” i tha ai.

Historia e pazakontë e shqiptarit që gjeti në rrugë

Megjithatë, ajo u rikthye ditën tjetër me një shpërblim dhe këmbënguli që ai ta merrte. “E ke nga Meryl. Diçka të vogël. Për falenderim” i tha ajo. Në një postim në Twitter në fund të marsit, gazetari i CNN Bill Weir e përshkroi ngjarjen kështu:

“Një djalë i mirë nga Kosova i cili punon në ndërtesën time vuri re një kuletë në rrugë mbrëmjen e djeshme me $2,000 dollarë brenda. Ai pa kartën e identitetit. Ishte Meryl Streep. Ai refuzoi të pranonte shpërblimin, por Meryl këmbënguli. Njerëz të mirë.”