Home Rajon Hylë Shala mes lotësh rrëfen për masakrën e Izbicës: E kam parë...

Hylë Shala mes lotësh rrëfen për masakrën e Izbicës: E kam parë me sytë e mi teksa ia kanë vendosur thikën në fyt burrit dhe e kanë vrarë


Sot janë mbushur 23 vjet nga masakra në fshatin Izbicë të Skenderajt.

Më 28 mars 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe, pas rrethimit të mijëra civilëve të fshatit Izbicë dhe vendbanimeve përreth, kishin ndarë 147 burra të rinj dhe pleq, të cilët i vranë dhe i masakruan, ndërsa pjesën tjetër e dëbuan jashtë Kosovës.

Edhe sot në po këtë datë pas 23 vjetësh mes lotëve dhe dhimbjes kujtohen të vrarët e Izbicës.

Hylë Shala, të cilës i është vrarë burri dhe djali, për Telegrafin kujton kohën e luftës dhe përjetimet e asaj kohe.

“Unë të vdekur këtu e kam djalin. Po ndihem e mërzitur sepse ata vdiqën në rinin e tyre, kurse ne ende jemi gjallë. Ne, tash po vazhdojmë po jetojmë dhe po rrisim jetima. Afër 6 javë kemi qëndruar në Shqipëri, të humbur të tretur kemi qëndruar atje, fëmijët e vegjël duke qarë e duke bërtitur. Na i kanë marrë në sy tonin, i kanë marrë me thika në fyt e neve duke na rrahur e shtypur”, tregoi ajo.

Hylë Shala- Nëna e dëshmorit Sali Shala – Izbicë Skenderaj

Nëna Hylë mes lotësh, rrëfen momentin kur paramilitarët serb ia kishin vrarë edhe burrin.

“Gjithmonë më rrin në mend ajo kohë, se çfarë na kanë bërë dhe çfarë kemi përjetuar ne. I kemi pasur thikat në qafë, kemi pritur çastin se kur po na mbysin derisa na i morën meshkujt të gjithë. Burrin e kam parë kur e kanë mbytë e kam parë kur ia kanë vendosur thikën në fyt”, rrëfeu ajo.

Ndërkaq Serbeze Dajaku Zebeli, tha se e ndjen dhimbjen e njëjtë sikurse para 23 vjetësh kur kujton faktin që askush nuk u gjykua e as nuk u dënua për masakrën e Izbicës.

“Ne dhimbjen e kemi të njëjtë si para 23 vitesh sikurse sot. Mua këtu më është vrarë babai, axha, djali i axhës dhe gruaja e axhës. Por ne kemi mërzi edhe më të madhe që vëllezërit tanë i marrin dhe i gjykojnë, të pafajshëm po ashtu ata i dërgojnë në gjyq të Hagës. Kurse për këto masakra nuk u gjykua askush dhe nuk u dënua askush. Pse?”, deklaroi Serbezja e bija e dëshmorit Osman Dajaku.

Familja e martirit Osman Dajaku – Izbicë, Skenderaj

Fatë Qelaj nëna e Dafina Qelajt foshjës 6 muajshe, e cila u vra nga forcat serbe, e kujton çastin kur këta të fundit e kishin përplasur vajzën dhe e kishin mbytur.

“Dafina Qelaj është këtu e varrosur, vajza ime 6 muajsh. Më 28 mars kemi qenë të grumbulluar dhe ka pasur shumë njerëz kanë ardhur forcat serbe dhe i kanë ndarë, gratë në njërën anë fëmijët në anën tjetër dhe vjehrri im e ka pasur vajzën në dorë. Serbët  e kanë përplasur vajzën duke e zvarritur vjehrrin dhe vajza ka vdekë. I kanë varrosur dhe i kanë nxjerrë prej varrezave prap. Pas 17 vjetësh e kam gjetur për herën e dytë. 17 vjet kam ardhur këtu te varri i thatë dhe kam qëndruar”, u shpreh Qelaj.

Nipi i martiri Cen Dragaj, Izbicë, Skenderaj

Ndryshe, bombardimet në fshatin Izbicë filluan gjatë natës së 27 marsit, kur një grup prej 50 ushtarëve, policëve dhe paraushtarakëve serbë hynë në fshat dhe vranë e masakruan shumë civilë.

Masakra në Izbicë hyn në radhën e krimeve më të rënda të shtetit të Serbisë, ku vrasja masive, përdhosja e trupave dhe varrimi i tyre, përmes pamjeve satelitore, u bë lajm botëror./Telegrafi/