Home Showbiz Ilir Shaqiri dhuron 50% të çmimit të BBV për fondacionin ‘Dritan Hoxha’

Ilir Shaqiri dhuron 50% të çmimit të BBV për fondacionin ‘Dritan Hoxha’

Ilir Shaqiri nuk do t’i bashkohet nismës së deklaruar nga Donald Veshaj për të ndërtuar 4 shtëpi, sepse “preferoi ta bënte këtë bamirësi në atë që ka qenë edhe ëndrra e tij” dikur.

Në një intervistë për “Open” me Eni Vasilin, Shaqiri u shpreh: “Në formularin personal që plotësuam në tetor, unë [deklarova se] 50% të çmimit do ta jepja për bamirësi, pa e përcaktuar se ku do të shkonin dhe çfarë bamirësie [do të ishte].”

Më tej, ai shtoi se kur Einxhelit iu propozua bashkëpunimi me fondacionin “Dritan Hoxha”, e kishte të qartë se çfarë duhej të bënte me gjysmën e çmimit prej 100,000 euro si fitues i “Big Brother VIP”.

Në fillim të shkurtit, stafi i fondacionit “Dritan Hoxha” u shpreh se është i hapur që së bashku me Einxhel të dëgjojë historitë e vajzave shqiptare kudo ku ato janë si edhe dëshirat e tyre për të kryer studimet në fushat: ekonomi, juridik, gazetari, shkenca dhe arte. Ideja do të strukturohet në formën e një talk show-reality dhe do të moderohet nga Einxhel.

“Sigurisht që ky ishte një mendim që më vlonte në kokë gjatë këtyre katër muajve në shtëpi. Kur pikërisht Einxhelit i është dhënë mundësia të ketë programin e saj aq shumë të ëndërruar, në atë moment kam marrë vesh se ekziston një fondacion që quhet ‘Dritan Hoxha’. Thënë kjo, unë mendova se gjë më të bukur se t’i jap bukë shpirtit të atyre që mund të jenë yjet e të ardhmes shqiptare, qoftë në Shqipëri ose në botë, nuk do të kishte gjë më të bukur përsa më përket mua si Ilir. Ka njerëz që bëjnë bamirësi në shumë mënyra të tjera, Iliri preferoi ta bënte këtë bamirësi në atë që ka qenë edhe ëndrra e tij, që të kishte dikur një bursë studimi për të evolur talentin,” përfundoi Iliri.