Home Rajon Konjufca dhe Kurti bëjnë homazhe te busti i Albright, vlerësojnë lartë kontributin...

Konjufca dhe Kurti bëjnë homazhe te busti i Albright, vlerësojnë lartë kontributin e saj për popullin e Kosovës


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca së bashku me kryeministrin e vendit, Albin Kurti, kanë bërë homazhe te busti i ish sekretares së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Madeleine Albright.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca deklaroi se kontributi i Albright për popullin e Kosovës ishte i jashtëzakonshëm, transmeton Telegrafi.

“Bashkë me kryeministrin Kurti po bëjmë homazhe te busti i ish sekretares Albright, e cila ndërroi jetë dje. Populli i Kosovës kurrë nuk do ta harroj dhe gjithmonë do të jetë mirënjohës për kontributin e jashtëzakonshëm që e ka dhënë zonja Albright për çlirimin e popullit tonë”, tha ai.

Tutje, Konjufca tha se Albright së bashku me presidentin Clinton ishin forca kryesore në planin ndërkombëtarë për ta ndalur gjenocidin e Serbisë ndaj popullit të Kosovës.

Ndërkaq, kryeministri Albin kurti tha figura e Madeleine Albright nuk i takon vetëm shekullit XX por edhe atij XXI.

“Politika, diplomacia dhe historia vështirë se kombinohen në mënyrë më të përsosur sesa te personaliteti i jashtëzakonshëm i Madeleine Albright. Kemi të bëjmë me një figurë e cila nuk i takon vetëm shekullit XX por edhe atij XXI, çdo herë kur fliste apo shkruante ishte aq profesionale në atë se çfarë bënte e thoshte”, u shpreh Kurti para mediave.

Ndryshe, mikja e madhe e shqiptarëve, Madeleine Albright, ka vdekur në moshën 84-vjeçare.

Ajo vlerësohet se pati ndikim të madh për të bindur SHBA-në dhe botën për krimet serbe që po kryheshin në Kosovë nga ushtria dhe policia serbe.

Albright ishte gruaja e parë sekretare e shtetit të SHBA-së, e cila ndihmoi në drejtimin e politikës së jashtme perëndimore pas Luftës së Ftohtë.

Familja e saj ka bërë të ditur se Albright ka vdekur shkaku i kancerit dhe se në momentet e fundit ishte e rrethuar me anëtarët e familjes.

“Me zemër të thyer ju njoftojmë se Madeleine K. Albright, Sekretarja e 64-të e Shtetit dhe gruaja e parë që ka mbajtur atë postë, sot ka ndërruar jetë. Ajo kishte kancer”, shkruan në njoftimin e familjes në rrjetet sociale. /Telegrafi/