Home Rajon Kraja minimizon rolin e Abazoviqit: Do të jetë politikan në përdorim, derisa...

Kraja minimizon rolin e Abazoviqit: Do të jetë politikan në përdorim, derisa Mali i Zi të ketë nevojë për ta stabilizuar qeverisjen


Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK), Mehmet Kraja, në një intervistë në emisionin “Përballje” me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu, ka komentuar zhvillimet në Mal të Zi dhe pozitën e Dritan Abazoviq.

Kraja ka minimizuar rolin e Dritan Abazoviqit si kryeministër i ardhshëm i Malit të Zi, derisa ka dyshime edhe nëse ai mund të lëvizë diçka në dobi të shqiptarëve.

“Ai do të jetë kryeministër i Malit të Zi”, është deklaruar Kraja, duke shtuar se s’ka nevojë për entuziazëm.

I pyetur nëse ai do ta avancojë pozitën e shqiptarëve, Kraja është përgjigjur: “Nuk besoj… Ai do të jetë një politikan në përdorim derisa Mali i Zi të ketë nevojë për ta stabilizuar qeverisjen. Nuk besoj se do të ketë ndonjë rol tjetër. Megjithatë mund të them se roli i shqiptarëve në Mal të Zi është në trend pozitiv”.

Akademik Mehmet Kraja gjatë intervistës në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com Foto: Ridvan Slivova

Akademiku thotë se shqiptarët problemet më të mëdha i kanë të brendshme për faktin se në aspektin gjeopolitik nuk kanë qenë asnjëherë më mirë.

“Kemi dy shtete shqiptare në Ballkan. Kemi faktorin shqiptar në Maqedoni që ka kontribuar në shtet ndërtim, që është me rëndësi. Ndërsa në Mal të Zi kemi pjesëmarrje simbolike. Por së paku Mali i Zi ua njeh shqiptarëve meritën për pavarësimin nga Serbia”, tha Kraja.

Kryetari i ASHAK-ut megjithatë thotë se shqiptarët ndërmjet vete kanë mjaft probleme./Telegrafi/