Home KOSOVË Kurti: Armatosja e vazhdueshme e Serbisë, shprehje e frikës së saj se...

Kurti: Armatosja e vazhdueshme e Serbisë, shprehje e frikës së saj se mund të mbetet e vetmuar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë sot se armatosja e vazhdueshme e Serbisë është shprehje e frikës së saj se do të mbetet e vetmuar.

Kryeministri Kurti këto komente i bëri gjatë një konference për media, teksa ka paraqitur mbështetjen prej 100 euro për muajin prill për pensionistët, punëtorët e sektorit privat, punëtorët e sektorit publik, dhe studentët.

Sipas Kurtit, Kosova është e brengosur dhe e vëmendshme për armatosjen e vazhdueshme të Serbisë, por nuk ka frikë.

“Ne jemi të brengosur, jemi të kujdesshëm, mirëpo nuk frikësohemi. E dimë që i kanë 42 baza ushtarake rrotull kufirit me Kosovën, që është kufiri më i gjatë, me 178 km dhe rrotull i kanë 42 baza ushtarake ofensive, por pavarësisht kësaj, ndonëse ne nuk jemi në NATO, NATO-ja është te ne… Besoj që edhe territori, shteti, dhe qytetarët janë të sigurt. Ndërkaq, Serbia më duket se ndodhet në panik, kur po e vërejmë që nuk mund të qëndrojë në tri katër ulëse njëkohësisht më. Ajo po përpiqet të forcohet për vete, sepse ndoshta mund të ngelet e vetmuar. Pra, armatosja e vazhdueshme e Serbisë nuk është e parrezikshme për rajonin dhe për Republikën e Kosovës, mirëpo në anën tjetër është shprehje e frikës së tyre se mund të ngelet e vetmuar atëherë kur po duket që nuk do të mund të qëndrojë në disa karrige siç janë mësuar”, tha Kurti.

Kryeministri, i pyetur nga mediatlidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka hedhur poshtë vendimin e Ministrisë së Arsimit për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar dhe përcaktimit të organizimit të mësimit në objektet shkollore në Komunën e Kamenicës, ka thënë se Qeveria e tij po sulmohet nga anë të ndryshme, e të cilat siç ka thënë ai, po përpiqen t’ua ndalin shpejtësinë e punës.

Derisa theksoi se për këtë çështje, do të sqarohet vet ministrja Nagavci.

Kurti: Qeverisja jonë e mirë nuk e ka ndërmend të ndalet

“Sa i përket ministres Nagavci, më së miri është që ajo të jap një sqarim për këtë gjë. Mirëpo duhet ta keni parasysh që Qeveria jonë demokratike me qeverisje të mirë në çdo fushë nuk e ka ndërmend të ndalet, për shkak se po e vërejmë qartazi se po kemi sulme të ndryshme, të cilat po përpiqen të na e zvogëlojnë shpejtësinë. Mirëpo ne nuk do të ndalemi asnjëherë në reformat tona, por në të njëjtën kohë do të respektojmë edhe ligjin edhe kushtetutshmërinë. Por, për detajet e çështjes konkrete do të flas vet ministrja Nagavci”, theksoi Kurti.