Home Rajon Kurti fillon takimet në Norvegji, interesohet për rritje të bashkëpunimit ekonomik

Kurti fillon takimet në Norvegji, interesohet për rritje të bashkëpunimit ekonomik


Në fillim të vizitës zyrtare në Norvegji, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është pritur në takim nga Ministrja e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Anniken Huitfeldt.

Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që shteti i Norvegjisë ia ka dhënë Republikës së Kosovës, veçanërisht për sigurinë dhe zhvillimin socio-ekonomik të vendit tonë, si dhe mbështetjen e Norvegjisë për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Në takimin e përbashkët me Ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, zëvendësministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku Bërdyna dhe Zëvendësministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, u bisedua për mundësitë për të forcuar dhe thelluar marrëdhëniet dypalëshe.

Kryeministri Kurti shprehu interesimin për të rritur bashkëpunimin ekonomik dhe marrëdhëniet tregtare mes dy shteteve.

U bisedua edhe për invazionin e agresionin rus në Ukrainë dhe pasojat që ka shkaktuar si në ekonomi po ashtu edhe në siguri, në Evropë e posaçërisht në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Kryeministri Kurti theksoi se Kosova është rreshtuar krahas botës demokratike, duke ju bashkuar sanksioneve kundër Rusisë, si dhe duke shprehur gatishmërinë për të pranuar 20 gazetarë e për të strehuar deri në 5000 refugjatë ukrainas./Telegrafi/