Home KOSOVË Kurti i falënderon deputetët për votimin në parim të projektligjit për sistemin...

Kurti i falënderon deputetët për votimin në parim të projektligjit për sistemin prokurorial

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka falënderuar deputetët për votimin në parim të projektligjit për sistemin prokurorial.

Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se  ky projektligj është jetik për drejtësinë në Kosovë.

“Më në fund do të arrihet balanci ndërmjet anëtarëve të përzgjedhur prokurorë dhe atyre jo prokurorë. Në këtë mënyrë, ligji i ri do të zhvendosë diskutimin e takimeve të KPK-së nga interesat vetanake të prokurorëve, tek interesat që kanë në fokus fuqizimin e sistemit prokurorial, veprimin energjik të prokurorëve dhe aktakuzat e fuqishme të cilat nuk mundësojnë lirimin e kriminelëve me kusht por sigurojnë zbatimin e ligjit për kategori të tilla”.

“Përbërja e ardhshme e Këshillit Prokurorial ka përgjegjësi të madhe e unike – të tregojë se nga reforma e filluar mund të kontribuojë dukshëm në fuqizimin e sundimit të ligjit, të dëshmojë partneritet e bashkëpunim ndërinstitucional në çështjet e rëndësishme për vendin, duke mos tentuar të arsyetojë mosveprimin me pavarësi të sistemit gjyqësor por të dëshmojë pavarësinë në ushtrimin e detyrave të përcaktuara me ligj”, ka shkruar Kurti.