Home Rajon Kurti në takim me të dërguarin Peach: Dialogu me Serbinë duhet të...

Kurti në takim me të dërguarin Peach: Dialogu me Serbinë duhet të jetë parimor, sovraniteti dhe funksionimi shtetërore të ngelen të pacenuara


Paqja e qëndrueshme, stabiliteti afatgjatë, siguria rajonale dhe dialogu Kosovë-Serbi ishin tema të takimit ndërmjet kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti me emisarin e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach dhe ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott.

Kryeministri Kurti falënderoi emisarin për ndihmën dhe mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë dhe shpalljes së pavarësisë.

Kreu i ekzekutivit ka thënë se dialogu me Serbinë duhet të jetë parimor dhe integriteti territorial, sovraniteti, funksionimi shtetëror, kushtetutshmëria dhe ligjshmëria, tërë kohën dhe kudo, të ngelen të pacenuara.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar në procesin e dialogut në Bruksel. Dialogu duhet të jetë parimor dhe të respektojë barazinë e palëve dhe ku përfitues përfundimtarë janë qytetarët e jo politikanët”, tha Kurti.

“Mbretëria e Bashkuar është partner i Kosovës i domosdoshëm për zhvillim dhe siguri”, tha kryeministri duke mirëpritur emërimin e emisarit Peach si veprim i duhur që do t’u kontribuojë proceseve politike në Ballkanin Perëndimor.

Ai theksoi përkushtimin për ruajtjen dhe zhvillimin e marrëdhënieve me Mbretërinë e Bashkuar duke vënë theksin tek diaspora, si urë lidhëse për të thelluar bashkëpunimin në sferën e investimeve po ashtu edhe në atë të bashkëpunimit kulturor e njerëzor.

“E ardhmja e Kosovës është në NATO dhe në Bashkimin Evropian dhe roli i Mbretërisë së Bashkuar në përshpejtimin e integrimit të Kosovës në NATO është qendror, e si hap i ardhshëm e i domosdoshëm është anëtarësimi i Kosovës në programin e NATO-s të Partneritetit për Paqe, proces i cili sjell stabilitet për rajonin”, ka thënë Kurti, bëhet e ditur në njoftimin e Kryeministrisë për media.

Më tej thuhet se Kurti e informoi emisarin për reformat e nisura duke theksuar përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për zhvillim ekonomik, reformë në drejtësi dhe qeverisje të mirë.

Emisari Peach vlerësoi lart marrëdhëniet mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe shprehu gatishmërinë dhe vullnetin për të thelluar bashkëpunimin, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe të sigurisë.

Marrë për bazë përvojën e gjatë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, emisari Peach shprehu gatishmërinë dhe vullnetin e tij për të ndihmuar në procesin e dialogut. /Telegrafi/