Home SHQIPËRI Kush është pasardhësi i Lulzim Bashës?

Kush është pasardhësi i Lulzim Bashës?

Postin e kryetarit të Partisë Demokratike gjatë kësaj periudhe tranzitore si pasojë e dorëheqjes së Lulzim Bashës do ta marrë përkohësisht Enkelejd Alibeaj.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi, njoftoi për mediat se është konsultuar me dy nënkryetarët, Jorida Tabaku dhe Enkelejd Alibeaj. Sipas tij, Tabaku ka hequr dorë nga e drejta për t’u propozuar në Këshillin Kombëtar për drejtimin e Partisë Demokratike e për pasojë, Alibeaj është zgjedhur kryetar i PD-së.

Agron Gjekmarkaj dhe Grida Duma dhanë dorëheqjen nga pozicioni i nënkryetarit/es pas zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit.

Alibeaj do të jetë kryetar i PD-së deri në zgjedhjet e ardhshme. Statuti i PD përcakton se kryetari i partisë zgjidhet me votim të të gjithë anëtarëve të Partisë Demokratike, sipas parimit “Një anëtar, Një votë”.

Ditën e djeshme, Basha dha dorëheqjen nga posti drejtues. “Kam vendosur të hedh një hap pas duke u dorëhequr nga detyra e kryetarit të PD-së,” tha ai. “Kjo nuk është një tërheqje, por një nxitje më shumë që betejën tonë për një PD të së ardhmes ta bëjmë të gjithë bashkë.”