Home Botë Lajme nga bota

Lajme nga bota

Pas 32 ditësh luftë, nxënësit në Kiev rinisin mësimin online

Këtë të hënë, fëmijët e Kievit të sulmuar prej më shumë se një muaji do të nisin shkollën. Sigurisht, rikthimi fizik në shkolla është ende i pamundur për shkak të situatës delikate, por kryebashkiaku i Kievit tha se mësimi do të rifillojë fillimisht online.

“Më 28 mars, procesi arsimor do të rifillojë në kryeqytet online. Do të përshtatet më shumë me kushtet aktuale, duke përdorur platforma të ndryshme për studentët”.- u shpreh kryetari i bashkisë së Kievit.

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Hollywood nderon Ukrainën gjatë edicionit të 94-ët të Oscars

Gjatë eventit më të rëndësishëm kinematografik, yjet e industrisë së filmit mbështetën dhe nderuan Ukrainën mbrëmjen e djeshme. Aktorja Mila Kunis, e lindur në Ukrainë para se të jepte fituesin për çmimin “Kënga origjinale më e mirë” u ndal tek situata në vendin e saj të origjinës.

“Ngjarjet e fundit botërore na kanë trishtuar shumë, por gjithsesi kur sheh fuqinë dhe dinjitetin e atyre të cilët po përballen aktualisht, është e pamundur të mos prekesh nga rezistenca e tyre. Nuk mund të mos kesh frikë nga ata të cilët gjejnë forcën për të vazhduar luftën mes asaj errësire të paimagjinueshme.”- u shpreh Mila.

Pas kësaj, në skenë u ngjit Reba McEntire për të kënduar “Somehow You Do”, një “këngë rezistence” e shkëputur nga filmi “Four Good Days”.

Pas performancës, në ekranin e madh lexohej:

“Do të donim një moment heshtje për të treguar mbështetjen tonë njerëzve në Ukrainë, të cilët po përballen me sulmin, konfliktin dhe dëmin në kufinjtë e shtëpisë së tyre. Ndonëse filmat janë një mënyrë e mirë për të shprehur njerëzillëkun dhe të qënit human në kohë të tilla, realiteti është se miliona familje atje kanë nevojë për ushqim, ilaçe, ujë të pastër dhe shërbime emergjente. Ne do t’ju kërkonim që të gjithë bashkë të mbështesnim Ukrainën në çdo mënyrë që mundemi.”

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Zelensky thotë se Ukraina është gati të pranojë statusin neutral, jo-bërthamor

Ukraina është gati të pranojë statusin neutral si pjesë e marrëveshjes së paqes me Rusinë, të paktën kështu është shprehur presidenti i vendit gjatë ditës së dielë.

Zelensky u tha gazetarëve se është gati të pranojë “garancitë e sigurisë dhe statusin neutral, jobërthamor të shtetit”, duke shtuar se ky ishte principi kryesor i Rusisë që para se të niste luftën atje.

Ai tha gjithashtu se “çështjet e Donbasit dhe Krimesë duhet të diskutohen dhe zgjidhen” përmes bisedimeve të paqes.

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Shanghai do të qëndrojë i izoluar për 9 ditë, pas përhapjes së shpejtë të Covid-19

Qyteti i Shanghai-it do të qëndrojë i mbyllur për plot 9 ditë, për shkak se infektimet me koronavirus janë rritur ndjeshëm.  Autoritetet deri më tani kanë refuzuar të mbyllin qytetin me 25 milionë banorë për të shmangur destabilizimin e ekonomisë, pasi Shangai është një qendër e rëndësishme financiare, por rastet e shtuara e bënë serioze situatën në vend.

Bllokimi do të bëhet në dy faza, ku pjesa lindore e qytetit do të jetë nën kufizime nga nesër deri më 1 prill dhe pjesa perëndimore nga 1 deri më 5 prill. Transporti publik do të pezullohet e ndërsa kompanitë dhe fabrikat do të ndalojnë funksionimin, duke kthyer punën online aty ku është e mundur.

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Burimi: CNN, The Guardian