Home Rajon Lufta në Ukrainë rrit vigjilencën në Kosovë

Lufta në Ukrainë rrit vigjilencën në Kosovë


Pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti kanë thënë se kanë marrë masa shtesë për sigurinë.

Ata nuk kanë dhënë detaje rreth tyre, por kanë njoftuar për një varg takimesh që kanë zhvilluar me përfaqësuesit e mekanizmave të sigurisë – vendorë e ndërkombëtarë.

Më 23 shkurt, Këshilli i Sigurisë i Kosovës ka mbajtur po ashtu një takim.

Sipas zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziu, ky takim ka prodhuar disa konkluzione në lidhje me bashkëpunimin midis Kosovës dhe partnerëve nga Bashkimi Evropian, NATO-ja, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, por, “detajet nuk mund të bëhen publike”, për shkak të “ndjeshmërisë së situatës”.

“Kosova rrethohet me tre vende anëtare të NATO-s [Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut], ndërsa e ka NATO-n brenda me rreth 3,700 ushtarë nga 28 vende aleate. Në të njëjtën kohë, e kemi edhe Forcën e Sigurisë [së Kosovës], e cila çdo ditë e më shumë po avancohet, sidomos falë bashkëpunimit me SHBA-në dhe NATO-n”, thotë Kryeziu.

Në reagimin e parë pas ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë, më 24 shkurt, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se ky akt e ka dëmtuar paqen në Evropë, por është zotuar se NATO-ja do të mbrojë çdo pjesë të territorit të aleancës.

Një zyrtar i NATO-s ka konfirmuar për REL-in se misioni paqeruajtës i aleancës në Kosovë, KFOR, ka “qëndrim fleksibil dhe të qartë në terren”, i cili, siç ka thënë ai, “mundëson trajtimin e menjëhershëm të çdo zhvillimi që mund të ndikojë në situatën e sigurisë”.

Prania e NATO-s në Kosovë

Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, ka 3,746 trupa në Kosovë, që vijnë nga 28 vende të botës.

Forcat e NATO-s janë të pranishme në Kosovë qysh në qershor të vitit 1999, pas përfundimit të luftës dhe tërheqjes së forcave serbe.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar informacione nga Presidenca e Kosovës, rreth përgatitjeve ose masave të sigurisë që mund të jenë ndërmarrë, por nuk ka marrë përgjigje.

Në një intervistë për televizionin Klan Kosova, presidentja Vjosa Osmani, e cila njëherësh është edhe komandante supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka thënë se planet operative janë bërë tash e një kohë të gjatë.

“Sa u përket përgatitjeve tona, unë dua t’i siguroj qytetarët e Kosovës se institucionet e sigurisë, duke filluar nga Policia e Kosovës, me të gjitha njësitë e saj, e deri te struktura inteligjente dhe ushtria e Kosovës – e cila ka mandat t’i mbrojë qytetarët, sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit – janë të përgatitura që një kohë, që të reagojnë në situata të tilla…”, ka thënë Osmani.

Në rast të kërcënimit të sigurisë nga faktorë të jashtëm, ka shtuar ajo, forcat e sigurisë së Kosovës, bashkë me KFOR-in, janë të angazhuara për ruajtjen e sigurisë në të gjithë territorin, e sidomos në veriun e banuar me shumicë serbe, ku gjendja e sigurisë është e brishtë.

Berisha: Kapacitetet mbrojtëse të rriten

Ish-ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Rrustem Berisha, thotë se sfidat globale të sigurisë padyshim se ndikojnë edhe në sfidat e brendshme të Kosovës.

“Kosova, në këtë situatë, duhet të jetë kontribuuese në paqe”, thotë ai.

“Rusia tenton të ketë ndikim edhe në Ballkanin Perëndimor. Këtë ndikim do ta shtrijë përmes Serbisë. Kosova ende nuk ka arritur një marrëveshje përfundimtare me Serbinë [për normalizimin e marrëdhënieve]. Ky, në një formë, është front i hapur… në kuptimin e asaj që nëse Rusinë nuk arrin dikush ta ndalë dhe ajo fuqizohet me veprimet e saj luftarake, sigurisht se edhe Serbia do të shfrytëzojë një mundësi për të hapur një konflikt të ri në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë”, thotë Berisha.

Serbia vazhdon ta kundërshtojë fuqishëm pavarësinë e Kosovës edhe 14 vjet pas shpalljes së saj.

Rusia, një nga mbështetëset më të mëdha të Serbisë, e pengon anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Berisha thotë se kapacitetet ushtarake të Kosovës duhet të forcohen.

“Problem është armatimi, sidomos në situatën e tranzicionit, në të cilën gjendet Forca e Sigurisë së Kosovës. FSK-ja nuk i ka arritur ende kapacitetet e veta operacionale. Duhet të rrisë dinamikën e blerjes së armatimit dhe të stërvitjeve”, thotë ai.

Forca e Sigurisë e Kosovës është në proces të transformimit në ushtri.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar ligjet për këtë transformim në vitin 2018.

Përgjegjësitë e reja të FSK-së, mes tjerash, kanë të bëjnë me ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe të qytetarëve, pronave dhe interesave të vendit.

Aktualisht, FSK-ja ka rreth 2,500 pjesëtarë. Pas periudhës së tranzicionit, që pritet të zgjasë dhjetë vjet, ky numër pritet të rritet mbi 7,500 dhe të përfshijë pjesëtarët aktivë dhe ata rezervistë.

Buxheti që ka ndarë Qeveria e Kosovës për FSK-në për vitin 2022 kap vlerën e mbi 100 milionë eurove.

Shefi i Komunikimit Strategjik në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës, kolonel Sefer Isufi, thotë se siguria e Kosovës “garantohet nga aftësitë dhe kapacitetet shtetërore, në bashkëveprim me SHBA-në dhe NATO-n”.

“FSK është në proces të planit gjithëpërfshirës të tranzicionit. Në fokus ka blerjen e sistemeve ushtarake që do t’i kompletojnë formacionet tona ushtarake për kryerjen e detyrave ligjore dhe të misionit”, thotë Isufi.

Me donacionin e fundit nga SHBA-ja, Forca e Sigurisë së Kosovës ka pranuar 55 automjete ushtarake në vitin 2021.

Një vit më herët, më 2020, Kosova ka blerë automjete të blinduara – po ashtu nga SHBA-ja. Atëbotë, nga FSK-ja kanë thënë se blerjet janë bërë bazuar në kërkesat dhe nevojat që i ka FSK-ja. Kosova ka blerë automjete ushtarake edhe nga Turqia. /rel/