Home SHQIPËRI Mbështetje nga AZHBR, ferma blegtorale në Has shton numrin e krerëve

Mbështetje nga AZHBR, ferma blegtorale në Has shton numrin e krerëve

TIRANË, 9 shkurt /ATSH/ Investimi në blegtori po shndërrohet në përparësi për shumë banorë të zonave rurale, të cilët falë edhe mbështetjes financiare që adreson qeveria në këtë sektor, po shtojnë tufat dhe angazhojnë forca të reja në punë.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca, solli sot shembullin e Avdylit dhe Rushes, çiftit nga nga Golaj e Hasit që ka 30 vjet që merret me blegtori.

“Blegtoria është e lodhshme, por edhe hajrin ia kena pa”, thotë ai.

Bashkë me dy prej djemve, Avdyli mbarështon 230 krerë dhi dhe 33 krerë lopë.

Krifca tha se “ata janë përfitues nga skema kombëtare për tufën bazë të matrikulluar, çka i ka mbështetur të vazhdojnë punën në blegtori me përkushtim”.

Abdyli tregon me krenari se e gjithë zona e Hasit njihet për të ashtuquajturën “Caporja e Hasit”, ose “dhia e kuqe”, e cila karakterizohet nga një temperament i veçantë, e durueshme ndaj temperaturave të ulëta dhe mish shumë të shijshëm për konsum.