Home Rajon Mehaj inspektoi stërvitjen fushore të FSK-së “Phoenix Alfa”

Mehaj inspektoi stërvitjen fushore të FSK-së “Phoenix Alfa”


Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj sot inspektoi nga afër ekzekutimin e aktiviteteve të planifikuara gjatë Stërvitjes fushore “Phoenix Alfa”, të realizuar nga Regjimenti i Dytë i Komandës së Forcave Tokësore të FSK-së në Poligonin Stërvitor në Babaj Bokës.

Me këtë rast, përveç vizitës në vend-komandë, ministri Mehaj i shoqëruar nga zv.komandanti i Forcave Tokësore, Kolonel Hysen Dreshaj, vizitoi edhe pjesëtarët gjatë demonstrimit praktik të stërvitjes.

Për zhvillimin, objektivat e synuar të stërvitjes si dhe kapacitetet njerëzore e teknike të angazhuara, Ministrin Mehaj e njoftoi Komandanti I Regjimentit, Nënkolonel Valdet Berisha.

Në adresimin e tij para ushtarakëve të angazhuar, Mehaj përgëzoi të gjithë duke vlerësuar angazhimin dhe konfirmimin e nivelit të lartë të disiplinës dhe profesionalizmit për arritjen e aftësive taktike operuese për realizimin e misionit dhe detyrave specifike të forcave tokësore.

Mehaj theksoi se “Phoenix Alfa” është dëshmia e radhës dhe konfirmim i fuqishëm se aftësitë dhe kapacitetet operacionale ushtarake për mbrojtjen e integritetit territorial të vendit janë në shkallën e zhvillimit dhe gatishmërisë në përputhje të plotë me qëllimin tonë strategjik”.

Stërvitja fushore “Phoenix Alfa” është në kuadër të planit vjetor të stërvitjeve për ngritjen e aftësive dhe kapaciteteve operacionale për mbrojtjen e integritetit territorial të vendit. /Telegrafi/