Home SHQIPËRI Meta, president deri në fund të mandatit

Meta, president deri në fund të mandatit

Ilir Meta do  të vijojë të jetë President deri në përfundim të mandatit të tij në 24  Korrik të 2022-it.  Ky ka qënë vendimi  i  marrë nga Gjykata Kushtetuese, e cila me gjashtë vota “pro” dhe një “kundër” rrëzoi kërkesën e Kuvendit  për të shkarkuar kreun e shtetit.

Argumenti  i togave të zeza ishte se Presidenti nuk ka kryer shkelje të rënda të kushtetutës, ndryshe nga sa pretendonte parlamenti në 9 Qershor të vitit 2021, kur votoi  me 105 vota pro shkarkimin e tij.

Pretendimet e  maxhorancës se kreu i shtetit ka shkelur  kushtetutën me deklaratat e tij për nxitjen e konfliktit para dhe pas zgjedhjeve të 25 Prillit, për kushtetuesen nuk përbëjnë shkelje  të rënda të ligjit themeltar të shtetit.

Me të njëjtin argument, togat e zeza kanë rrëzuar edhe pretendimin tjetër të Kuvendit se Presidenti ka kryer shkelje të rënda që cënojnë misionin e tij dhe marrëdhëniet e Shqipërisë me partnerët strategjikë.

Kushtetuesja nuk ka gjetur shkelje të ligjit themeltar të shtetit  edhe  për çështje  që lidhen me pavarësinë  e organeve publike dhe faktet e paraqitura nga Kuvendi për shkelje të rendit e sigurisë publike.

Kjo është hera e parë që  një  president bën betejën e tij ligjore në dyert e  kushtetueses pas shkarkimit nga parlamenti.

Ilir Meta u zgjodh për të qënë në krye të shtetit më 28 Prill të vitit 2017 me 87 vota, pas katër raunde votimesh me mbështetjen e Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe pa votat e opozitës e cila asokohe kishte bojkotuar parlamentin.