Home Maqedoni Ministri Shaqiri: Humbja e mësimit nuk i sjell dobi askujt

Ministri Shaqiri: Humbja e mësimit nuk i sjell dobi askujt

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri ju bëri thirrje mësimdhënësve të shkollave fillore dhe të mesme që të vazhdojnë procesin arsimor, sepse është në interesin më të mirë të fëmijëve.

“Interesi më i mirë i fëmijëve duhet të jetë në rend të parë, sepse e drejta për arsimim e çdo fëmije është e drejtë e garantuar me kushtetutë. Humbja e mësimit në kushte si kjo pandemi, kur Qeveria dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës bënë përpjekje maksimale për normalizimin e procesit arsimor, nuk i sjell dobi askujt, e më së paku nxënësve”, ka shkruar në Fejsbuk Shaqiri.

Shaqiri thekson se nxënësit duhet të kthehen në shkolla, aty ku e kanë vendin. Mësimdhënia e rregullt, sipas tij, nevojitet më së shumti si mbështetje për nxënësit në një pjesë shumë të rëndësishme të jetës së tyre.

“Ata kanë nevojë për ju tani në këtë periudhë kur përgatiten për të vazhduar shkollimin në shkolla të mesme, për të dhënë provimet profesionale dhe maturën shtetërore, nga e cila varet e ardhmja e tyre e mëtejshme arsimore dhe regjistrimi në universitete brenda dhe jashtë vendit. Me një proces të ndërprerë arsimor e gjithë kjo nuk mund të realizohet brenda afateve të përcaktuara dhe është në dëm të nxënësve të klasave të nënta dhe maturantëve aktualë, por edhe gjithë nxënësve tjerë”, thekson Shaqiri.

Ministri theksoi se Qeveria dhe përfaqësuesit e SASHK-ut në fundjavë janë pajtuar që të përcaktohet përqindja e rritjes së pagave që do të planifikohet dhe potencialisht do të realizohet me rebalancin e buxhetit, pas së cilës nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme do të kthehen në shkollë të hënën.

“Sindikata duhet të ketë besim tek institucionet, sepse më parë përmes dialogut partnerik u arrit rritje e pagave të mësimdhënësve prej 21 për qind. Qeveria dëshiron të plotësojë kërkesat e kuadrit arsimor. Duam të gjejmë zgjidhje të përbashkët afatgjate me të cilën do të sigurojmë rritje të vazhdueshme të pagave në arsim, por edhe do të garantojmë statusin ekonomiko-social të kuadrit. Tani gjëja më e rëndësishme është që fëmijët të kthehen në shkollë, kurse dialogu të vazhdojë”, thekson Shaqiri.