Home Rajon Molliqaj: Janë dy probleme te vendimi i Kurtit për ndarjen 100 eurove...

Molliqaj: Janë dy probleme te vendimi i Kurtit për ndarjen 100 eurove për punëtorët e studentët


Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj në një intervistë në “Përballje” në Telegrafi.com me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, ka folur për vendimin e Kurtit për ndarjen e nga 100 eurove për punëtorët e sektorit publik, privat, studentëve e pensionistëve.

Molliqaj ka thënë se vendimi nuk ka qenë i drejtë pasi që sipas tij jo të gjithë janë duke përjetuar njëjtë këtë krizë.

“Kjo qeveri ka kohë që po i trajton njëjtë të gjithë, pasi është qeveri e djathtë. Pra ajo nuk iu ndihmon vetëm ata që kanë nevojë”.

I pari i PSD-së thotë se nuk mund të trajtohen njëjtë edhe studentët e sektorit publik edhe ata privat.

Molliqaj ka identifikuar dy probleme në pakon 100 milionëshe të Kurtit.

“Njëra është pabarazia, që me këtë vendim Kurti po e thellon. E dyta, shuma prej 100 euro nuk e zgjidh inflacionin, pasi që inflacion do të kemi gjatë gjithë vitit. Për këtë arsye 100 milionëshe do të ishte zgjidhje për ata që kanë nevojë. Në vend që të ndihmohen të gjithë studentët është dashur të ndihmohen ata që kanë nevojë”.

Ai thotë se gratë nuk janë përfshirë në këtë pako edhe pse sipas tij shkalla e papunësisë te to është mjaft e madhe.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj gjatë intervistës në “Përballje” në Telegrafi.com/ Foto: Ridvan Slivova

Duke folur për pagën minimale, Molliqaj thotë se problemi është te shkalla e tatimeve.

“Paga minimale do të duhej të ishte më e madhe. Por edhe unë jam që paga deri në vlerën minimale të mos tatohet. Nuk mund të tatohen njëjtë si bizneset e vogla, si ato të mëdha”, deklaroi tutje Molliqaj.

Kujtojmë se edhe liderët tjerë opozitarë e kanë kundërshtuar vendimin e Kurtit për ndarjen e pakos 100 milionëshe për disa kategori shoqërore./Telegrafi/