Home Maqedoni Muharem Serbezovski, këngëtari që përktheu Kuranin dhe librat tjerë të shenjtë në...

Muharem Serbezovski, këngëtari që përktheu Kuranin dhe librat tjerë të shenjtë në gjuhën rome!

Përveç hiteve të pavdekshme të këngës popullore rome, ai ka shkruar romane e poezi, ka përkthyer vepra të letërsisë botërore, por për atë që do të mbahet mend, është se për bashkëkombësit e tij me shumë fe, u kujdes që t’ua sjellë librat e shenjtë Kur’anin famëlartë si dhe Dhiatën e Vjetër dhe të Re, që është një kontribut i jashtëzakonshëm.

 

E njohin si këngëtar, ndoshta më i madhi i këngës rome, me origjinë nga Maqedonia, që renditet përskaj emrave të tjerë të famshëm në botën e muzikës, si Esma Rexhepova, Aki Rahimovski, Ajnur Serbezovski, i biri, ose të tjerëve nga ish-trojet e Jugosllavisë, Usnija Rexhepova apo Shaban Bajramoviq dhe shumë të tjerë. Ai fitoi njohje në vitet shtatëdhjetë të shekullit të 20-të kur regjistroi disa regjistrime shumë të suksesshme të muzikës popullore rome. Serbezovski përveç se është interpretues i shkëlqyer, njihet edhe si kitarist, tekstshkrues dhe kompozitor i mirë.

Muharem Serbezovski ka lindur në vitin 1950 në Shkup, në lagjen rome të Tophanës. Ai u rrit në një familje të madhe dhe babai i tij ishte mësues. Shumë herët, ai tregoi interes të madh për shkencën, fenë dhe kulturën te trashëgimtarët e tij. Duke qenë se ishin mjaft të varfër, Muharremi filloi shumë herët të këndonte për të ndihmuar familjen. Më vonë e braktisi Shkupin, për të kërkuar fatin në viset tjera të Jugosllavisë. Në Sarajevë, mbaroi Fakultetin Filozofik dhe më pas mori titullin master. Ai krijoi një familje në kryeqytetin e Bosnje dhe Hercegovinës. Edhe pse ai ka qenë në skenën publike jugosllave që nga fundi i viteve 1960, Serbezovski gjithmonë ka qenë në gjendje ta mbajë jetën e tij private larg syrit të publikut.

Serbezovski njihet edhe si aktivist dhe ish-deputet i Parlamentit të Federatës së Bosnjë-Hercegovinës. Deri në prill 2010, ai ishte anëtar i Partisë për Bosnjë dhe Hercegovinë.
Për veprimtarinë e tij muzikore, e dinë të gjithë, por më pak njihet ana tjetër e tij, ajo e angazhimit intelektual e krijues. Që në vitet 80-të ai u afirmua si shkrimtar dhe përkthyes. Librin e parë e botoi në vitin 1983, romanin “Xhevahirët e shkruar”. Dy vite më vonë romanin tjetër “Maxhupët e kategorisë A”, kurse në vitin 1986 romanin e tretë, ”Lufta e perëndive jevge”. Në fund të viteve 90-të, ai para lexuesve do të paraqitet edhe me një vepër poetike, “Rrugët e erës dhe jevgjit”, ndërkaq nuk le pa e prekur edhe aspektin e të drejtave, duke shkruar librin “Romët dhe të drejtat e njeriut”.

Në fushën e përkthimit, ai iu rek disa veprave klasike të letërsisë botëre, duke përkthyer në gjuhën rome “Njëqind vjet vetmi” të Markesit, “Luftën dhe paqen” e Tolstoit, “Krimin dhe ndëshkimin” e Dostojevskit etj. Por, ajo që është puna më e veçantë në fushën e përkthimit, është se për bashkëkombësit e tij me shumë fe, u kujdes që t’ua sjellë librat e shenjtë Kur’anin famëlartë si dhe Dhiatën e Vjetër dhe të Re, që është një kontribut i jashtëzakonshëm./desk.al