Home Uncategorized Neruda e Hikmet, poetët që refuzuan ta vizitojnë Shqipërinë

Neruda e Hikmet, poetët që refuzuan ta vizitojnë Shqipërinë

Nga: Hasan Bello

Një nga poetët më të njohur të shekullit XX është kiliani Pablo Neruda (1904-1973). Njihet edhe si politikan, diplomat dhe antifashist. Neruda, përveç miqësisë me shkrimtarë të njohur të kohës, ishte i përfshirë dhe në lëvizjen komuniste. Kjo ishte bërë “modë” për shumë intelektualë para Luftës së Dytë Botërore.

Në vitin 1971, Neruda fitoi çmimin Nobel për Letërsi, i cili u kundërshtua nga bashkëkohësit, për shkak të aktivitetit të tij politik. Megjithatë, shkrimtarë si Markezi e cilësuan si poeti më i madh i shekullit XX.

Në vitin 1951, me rastin e dhjetëvjetorit të themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare, Komiteti Qendror vendosi të ftonte shkrimtarë dhe personalitete të njohur të botës komuniste. Një nga këta ishte dhe poeti kilian Pablo Neruda. Më 27 shtator 1951, zëvendësministri i Jashtëm Mihal Prifti i përcolli legatës shqiptare në Moskë një zarf me ftesën përkatëse. Në këtë periudhë, Neruda ndodhej në Kinë. Por, megjithë përpjekjet e ministrit shqiptar në Moskë, Vasil Nathanaili, dhe ndërhyrjeve që ai bëri në Ministrinë e Jashtme të Bashkimit Sovjetik, as Neruda e as shkrimtari i njohur turk Nazim Hikmet, që ndodhej në Moskë si emigrant politik, për arsye të panjohura nuk erdhën në Shqipëri.

Kjo tregon se në pikëpamjen kulturore Shqipëria konsiderohej si vend periferik dhe që nuk përfillej as nga poetë e shkrimtarë komunistë. Ndoshta për këtë mund të ketë ndikuar trajtimi që regjimi komunist i bënte shkrimtarëve shqiptarë. Me këtë kemi parasysh diferencën e madhe mes Tiranës zyrtare dhe vendeve të Bllokut Lindorë, në të cilat poetët dhe shkrimtarët gëzonin liri ku e ku më të mëdha se sa tek ne.